Ahmeti: Çështja e emrit kërkon angazhim ndërkombëtar
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, kërkon angazhim konkret ndërkombëtar në drejtim të zgjidhjes së kontestit midis Shkupit dhe Athinës.....

Kjo çështje nuk do të zgjidhet ndryshe, ka deklaruar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin e sotëm me ambasadoren e Belgjikës në Republikën e Maqedonisë, njëherit edhe rezidente në Sofje të Bullgarisë, Anik Van Kalster.
“Pa përfshirjen e miqve ndërkombëtar, kjo çështje nuk zgjidhet. Pa zgjidhjen sa më të shpejt të kësaj çështje, nuk mund të ketë stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në vend dhe në rajon, e aq më pak marrëdhënie të shëndosha ndëretnike dhe zhvillim ekonomik”, ka thënë Ahmeti.
Edhe në këtë takim është bërë fjalë për bojkotin e opozitës, me ç’rast Ahmeti ftoi deputetët opozitarë që të kthehen në kuvend, ku do të mund t’i prezantojnë qëndrimet e veta dhe propozimet për politika më të mira ndaj qytetarëve.
Gjatë takimit me ambasadoren belge, Ahmeti po ashtu foli edhe për zhvillimet në rajon, me ç’rast ka përshëndetur zgjedhjen e qeverisë së re dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kryetari i BDI-së tha se qeveria e re dhe kuvendi ndodhen përballë sfidave të rëndësishme me të cilat ballafaqohet Kosova, por dhe rajoni.
