Mustafa, zyrtarisht ulet në karrigen e kryeministrit

12.12.2014 18:06

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, sot edhe zyrtarisht u ul në karrigen e kryeministrit pas ceremonisë së pranim-dorëzimit nga kryeministri i deritanishëm, Hashim Thaçi....

Pranim-dorëzimi u bë me një ceremoni të veçantë, me intonimin e Himnit Shtetëror të Kosovës dhe me parakalimin para gardës ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Më pas, në ambientet e kabinetit të kryeministrit është zhvilluar takimi në mes të ish-kryeministrit, Hashim Thaçi dhe kryeministrit, Isa Mustafa dhe në këtë rast është bërë edhe pranim-dorëzimi formal i detyrës së kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryeministri Mustafa, pasi ka marrë detyrën, ka mbajtur edhe mbledhjen e parë me kabinetin e tij. Ai, u tha ministrave të kabinetit të tij se ka marrë përgjegjësi në një moment të rëndësishëm për Kosovën.

Po ashtu, ai premtoi se do të punohet me përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe ndaj vendit.

“Në këtë mandat do të bashkëpunojmë ngushtë me presidenten, Kuvendin e Kosovës dhe institucionet tjera të pavarura”- tha Mustafa.

Ai, një rëndësi të posaçme i kushtoi edhe pjesëmarrjes së “Listës Sërbska” në qeverinë e tij dhe i garantoi atyre bashkëpunim.