Botë
Shqipëria në emergjencë energjitike, Rama: Plan i posaçëm për të përballuar situatën
08.10.2021 10:47
Shqipëria është zyrtarisht në emergjencë energjitike, një krizë që kryeministri Edi Rama...

Shqipëria është zyrtarisht në emergjencë energjitike, një krizë që kryeministri Edi Rama thotë se do të arrijë kulmin në mesin e vitit 2022. Pas mbledhjes së qeverisë, Rama tha se të shtunën do të paraqesë planin e përballimit të krizës, me paketa të ndihmës për familjarë dhe biznese.
“Vendimi i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumentet financiare, qoftë me instrument të natyrës administrative. Sot me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë dhe planin do ta bëjmë publik nesër.”, tha Edi Rama. kryeministër i Shqipërisë.
Rama tha se ky plan nuk ndalon dot rritjen e çmimeve të ndikuara nga tregu ndërkombëtar, por do të shërbejë si mbrojtje e qytetarëve nga kjo furtunë.
Përveç rritjes së pritshme të çmimit të energjisë, në Shqipëri prej disa javësh janë rritur çmimet e karburanteve, si dhe të produkteve të shportës. Opozita i ka kërkuar kryeministrit lehtësi fiskale për këto produkte, por ai tha se nuk do t’i marrë parasysh pasi sipas tij, boshatisin rezervat.
LULJETA NDOKA
