Njohja e Kosovës nga Serbia, Rama: Kapitulli i fundit i shpërbërjes së RSFJ-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thotë se Kosova është problemi i fundit në rajon që ende është i pazgjidhur që nga shpërbërja e Jugosllavisë.
Njohja nga ana e Sërbisë do të nënkuptonte kapitullin e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë, ka deklaruar kryeministri shqiptarë Rama në një intervistë për Radio Televizionin e Spanjës, RTVE.
Rama po ashtu u pyet edhe për qëndrimin e Spanjës për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas Ramës pozicioni i Spanjës nuk ka fare të bëjë me asnjë problem që ka lidhje me shqiptarët apo me vetë Kosovën, por ka të bëjë me historinë e me problemet e veta të brendshme.
“Duhet të jemi shumë të qartë, pasi nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet për pavarësi apo separatiste dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia”, tha Rama.
Spanja dhe katër shtete të Bashkimit Evropian nuk e njohin shtetësinë e Kosovës: Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia.
Për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës në samitin ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Bërdo të Sllovenisë Spanja kërkoi që të gjitha shtetet të merrnin pjesë pa simbole shtetërore.
