Antikorupsioni, refuzohen ankesat e “Të Majtës” dhe LSDM-së
Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit...

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit i refuzoi si të pabaza ankesat e “Të Majtës” dhe LSDM-së të cilat kishin të bëjnë me hapësirën reklamuese të ndarë për kandidatët e pavarur për kryetar komune të qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe atij të Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
“E Majta” tha se është e palejueshme që Arsovska të shfrytëzojë hapësirë të ndarë nga Koalicioni për rindërtimin e Maqedonisë për shkak se është kandidat i pavarur dhe i takojnë vetëm 30 sekonda në bazë të ligjit.
Nga Anti-korupsioni thonë se nuk ka bazë që ankesa të pranohet.
“Në përgjigjen e Agjencionit për Shërbime Audio dhe Audio Vizuele qëndron se sipas xhirimeve të përpunuara nga programet e radiove dhe televizioneve nuk kanë regjistruar reklamim politik të Danella Arsovskës, kurse në pjesë të emetimit të paguar politik nga VMRO-DPMNE edhe në radio edhe në televizione ka spote edhe për atë kandidate. Në vazhdim në përgjigjen e Agjencisë thuhet se reklamimi i Arsovskës në kuadër të programit të paguar politik nga ana e VMRO-DPMNE-së nuk është në kundërshtim me udhëzuesin për reklamat politike me pagesë për zgjedhjet lokale” – tha anëtari i KSHPK-së, Nuri Bajrami.
Ankesa e dytë ishte nga LSDM kundër kandidatit të pavarur për komunën e Kumanovës Maksim Dimitrievski, i cili sipas tyre në kundërshtim me rregullat zgjedhore në vend se nga tre ka reklamuar veten në gjashtë lokacione nëpër billborde.
“Në këtë rast konkret akuzat nuk janë të vërtetuara dhe për shkak të kësaj Komisioni për Anti-korupsion nuk është në mundësi të propozojë masa në përputhje me kompetencat e saja dhe propozon që ankesa të refuzohet. Procedura për këto akuza të ndërpritet” – deklaroi Kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska.
Anti-korrupsioni bëri thirrje deri te organizatorët e fushatës që të dorëzojnë me kohë raportet në lidhje me të ardhurat e mbledhura dhe për mënyrën e shpërndarjes së reklamava nëpër media, që paguhet nga buxheti shtetëror. (Ersan Pajaziti, TVM2)
