Zgjedhjet Lokale 2021, BDI mbajti tubim në Komunën e Sarajit
Bashkimi Demokratik për Integrim....

Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar aktivitetin parazgjedhorë në komunën e Sarajit, ku ka kërkuar mbështetjen për rizgjedhjen e Blerim Bexhetit kryetar të kësaj komune dhe përkrahjen për listat e kandidatëve për këshilltarë në këtë komunë dhe Qytetin e Shkupit.
Kandidati për kryetar të komunës së Sarajit Blerim Bexheti duke shpalosur programin për një mandatin të ri para banorëve të Sarajit numëroi projektet që ekipi i tij i ka vendosur në program me prioritet e që kanë të bëjnë me infrastrukturën, arsimin, turizmin dhe zhvillimin ekonomik të komunës.
Realizimi i programit tha Bexheti do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.
“Duke qëndruar para jush me gatishmërinë e plotë që të vazhdojmë të punojmë bashkërisht kërkoj të nderuar qytetarë besimin e juaj nën ombrellën e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Ali Ahmetit që të vazhdoj të udhëheq me komunën e Sarajit dhe të jeni të sigurtë, ashtu si ia dolëm këtë mandat, do t’ia dalim edhe mandatin tjetër dhe komuna jonë për çdo ditë, për çdo muaj, për çdo vit do të ketë standarde më të mira, më të avancuara dhe më cilësore” – tha Kandidati për Kryetar të Komunës së Sarajit nga rradhët e BDI-së, Blerim Bexheti.
Kreui i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në fjalimin e tij banorëve të Sarajit u premtoi se Blerim Bexheti dhe ekipi i tij do të ketë përkrahjen e plotë në realizimin e programit dhe premtimeve të parashtruara para qytetarë.
Siç e kemi ndryshuar të djeshmen do ta ndryshojmë të sotmen edhe të nesermen, tha Ahmeti duke elaboruar kështu edhe rëndësinë e agjendës së blertë me të cilën Bashkimi Demokratik për Intergrim garon në këto zgjedhje lokale.
Kjo agjendë nënkupton standard dhe kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian nënvizoi Ahmeti.
“Ne hapërojmë drejt vizioneve, drejt të ardhmes që kishim hartuar dhe sigurisht bombën e hodha më 5 Qershor para një viti për kryeministrin shqiptar, bomba e dytë për agjendën e blertë. Ky është një projekt mirë i përpunuar dhe i studiuar, është agjendë e kohës. Ky vend duhet ndërtuar dhe ky është vendi që ne trashëgim do t’ua lëmë pasardhësve tanë, por ama të përparuar dhe me dinjitet dhe unë jam shumë i sigurtë siç e anëtarësuam në NATO, ashtu do ta anëtarësojmë së shpejti edhe në Bashkimin Europian.” – deklaroi Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Banorëve të Komunës së Sarajit iu drejtuan, edhe Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, bartësi i listës së BDI-së për këshilltarë në Qytetin e Shkupit Ardijan Muça dhe bartësi i listës së këshilltarëve për Sarajin, Muhamed Ramadani. (Naim Ramadani, TVM2)
