Botë

Dialogu Seri-Kosovë, Lavrov: Pranojmë çdo zgjidhje, që i përshtatet Serbisë

11.10.2021 12:56

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov pas një takimi që zhvilloi në Beograd me presidentin serb....

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov pas një takimi që zhvilloi në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi se shteti i tij është i angazhuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në kuadër të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, duke shtuar se një zgjidhje eventuale do të duhej të miratohej nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
 
Lavrov tha se Rusia do të pranonte çdo zgjidhje “që do t’i përshtatej Serbisë dhe popullit serb”.Ai po ashtu tha se gjatë komunikimeve me Bashkimin Evropian, Moska gjithmonë ia kujton përgjegjësinë Brukselit që ka për dialogun dhe shtoi se “është koha që të zbatohen marrëveshjet e arritura vite më parë”, veçanërisht Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kryediplomati rus tha se me Vuçiqin bisedoi edhe për situatën në Ballkan dhe deklaroi se Serbia është “faktor më i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon” dhe se “opinioni i saj duhet të merret parasysh në të gjitha çështjet”.Ai po ashtu theksoi rëndësinë e “partneritetit strategjik midis Serbisë dhe Rusisë” dhe shtoi se ekziston një dialog konfidencial midis udhëheqësve të të dyja vendeve. Kryediplomati rus hodhi poshtë akuzat se Moska po ndërhyn në punët e brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Lavrov kritikoi BE-në pasi siç tha Brukseli po ndjek “një politikë që nuk është konstruktive”.