Botë
Osmani: Serbia vazhdon ta minojë shtetin e Kosovës
12.10.2021 12:53
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka akuzuar Beogradin zyrtar se po vazhdon....

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka akuzuar Beogradin zyrtar se po vazhdon me përpjekjet për ta minuar shtetin e Kosovës me narrativë e argumente të falsifikuara.
Ajo ka reaguar pasi në konferencën e Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruara, që po mbahet në Beograd, Serbia sërish po e keqpërdor statusin e vendit vëzhgues me synim për ta shtrembëruar të vërtetën për shtetin e Kosovës. Për më tepër, presidentja e Kosovës Osmani kujton se pavarësia e Kosovës është njohur nga një numër i konsiderueshëm i shteteve të Painkuadruara.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare. Prandaj ftoj të gjitha shtetet e Painkuadruara që nuk kanë njohur Kosovën që të udhëhiqen nga ky interpretim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe jo nga propaganda e Serbisë e cila rrënjët i ka te mendësia Millosheviqiane.”, porosti presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Për të kontribuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore midis dy vendeve, Osmani tha se Serbia duhet të heqë dorë nga përpjekjet për ta minuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës, përmes lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si dhe me fushatën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera.
