Botë
Debate të forta për veriun e Kosovës, akuza për keqmenaxhim të situatës
12.10.2021 14:26
Mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë në Kosovë është zhvilluar këtë të martë mes konflikteve verbale....

Mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë në Kosovë është zhvilluar këtë të martë mes konflikteve verbale. Tensionet filluan pasi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kërkoi të raportonte së bashku me drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti por një gjë e tillë u refuzua nga kryetari i Komisionit, Bekë Berisha. Pas largimit nga salla e ministrit Sveçla dhe drejtorit të policisë, kryetari u përplas edhe me deputetet e tjerë nga lëvizja VV, të cilët e akuzuan atë që po bën show mediatik para zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Pas Sveçlës sallën e lanë edhe disa anëtarë tjerë të Komisionit. Në 20 shtator Qeveria e Kosovës mori vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës. Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës – ku popullsia është shumicë serbe – u bllokuan nga banorët lokalë që e kundërshtonin vendimin për reciprocitet.
