Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, BDI mbrëmë mbajti tubim në komunën e Çairit
12.10.2021 16:13
Zgjerim dhe rikonstruim të rrugëve, gazifikim, plan për ndarjen e rrugëve njëkahëshe...

Zgjerim dhe rikonstruim të rrugëve, gazifikim, plan për ndarjen e rrugëve njëkahëshe, çerdhe dhe shkollë të re, pishinë, qendra të reja rinore, biblioteka, komplekse sportive dhe shumë projekte të tjera përmban programi i Agjendës së Blertë të integristëve, me të cilin garon edhe kandidati për kryetar në komunën e Çairit, Visar Ganiu. Ai u zotua se higjiena dhe pastërtia do të jenë në nivel të shtuar dhe kjo do të bëhet përmes ekipeve kujdestare që do të shpërndahen në të gjitha lagjet që gravitojnë në komunën e Çairit. Ganiu gjithashtu premtoi se do të zgjidhet edhe problemi me qenët endacak dhe kjo do të bëhet përmes projektit që ofron vaksinim dhe adoptim jashtë vendit.
“Kemi përpiluar edhe planin për ndarjen e rrugëve njëkahëshe brenda komunë së Çairit, investimi në arsim dhe shkencë do të filloj me ndërtimi e një shkolle të re dhe një çerdhes në lagjen e Fushë Tophanës. Do të filloj godina e universitetit Nënë Tereza që do të merr formën gjatë këtij mandati. Gazifikimi i filluar në tre objekte do të filloj të prek amvisëritë.”,- tha kandidati për kryetar në komunën e Çairit - BDI, Visar Ganiu.
Bartësja e listës së kandidatëve për këshilltarë në komunën e Çairit, Sermine Purrini, theksoi rëndësinë e avancimit të pozitës së gruas në proceset e vendimmarrjes dhe faktorizimin e zërit të saj që është njëri nga premtimet e kandidatit Visar Ganiu për mandatin e ri.
“Me datën 17 tetor ta vulosim fatin tonë. Vota jonë me 17 tetor do të hap shtigje të reja shtigje të ardhmërisë, prandaj votoni për agjendën e blertë.”,- u shpreh bartësja e listës së këshilltarëve komunal në Çair – BDI, Sermine Purini.
Bartësi i listës së këshilltarëve të BDI-së për Qytetin e Shkupit, Ardijan Muça ka kërkuar votën e qytetarëve që së bashku me Visarin të vazhdojë punën në shërbim të jetës cilësore të qytetarëve.
“Unë dhe Visar Ganiu, këtij projekti madhështor të Ali Ahmetit i kemi parapri katër vjet me rend edhe atë me punë dhe projekte konkrete dhe do vazhdojmë edhe në katër vitet e ardhshme. Andaj të gjithë së bashku më 17 Tetor të dalin të votojmë numrin 3.”,- u shpreh bartësi i listës për këshilltar në Qytetin e Shkupit – BDI, Ardian Muça.
Shefi i Shtabit Zgjedhor në Çair, Izet Mexhiti, tha se BDI nuk kërkon votë për të mposhtur të tjerët,por kërkojnë votë për projekte të reja, për investime kapitale si dhe për ndryshime radikale që mund të bëhen vetëm me Agjendën e Blertë dhe me VIsar Ganiun.
SANIJE DURAKU
