Maqedoni

Kriza globale energjetike, Bislimovski: S’ka rritje të çmimit deri në fund të vitit

12.10.2021 16:26

Shumë vende në mbarë globin si pasojë e mungesës së gazit natyror...

Shumë vende në mbarë globin si pasojë e mungesës së gazit natyror, po përballen me krizë energjetike dhe me rritje çmimesh të rrymës elektrike. Rritja e çmimeve pritet të prekë edhe vendin tonë. Por kryetari I KRE-së Bislimovski siguron se nuk do të ketë rritje të çmimit të rrymës para vitit të ri, por nuk është i sigurtë se si do të jetë çmimi pas dhjetorit. Ai tha se veç më po bëhen përpjekje për tu siguruar sa më shumë thëngjill, në mënyrë që çmimet e energjisë elektrike mos të pësojnë rritje enorme. 
 
“Sa i përket çmimit, një gjë është e sigurt, nuk do të ketë rritje deri në fund të vitit. Në këtë moment, ESM së bashku me Qeverinë po ndërmarrin aktivitete për të siguruar thëngjill, me qëllim stabilizimin e çmimit të energjisë elektrike tek ne dhe se ndihma do të zbatohet kryesisht për ekonominë dhe do të shpërndahet në mënyrën më të drejtë për të gjithë konsumatorët në tregun e lirë. Është shumë herët për të folur për atë që do të ndodhë nga 1 janari, sepse gjërat po ndryshojnë si në një kasetë filmi, gjatë dhjetorit do të kemi informacion më specifik.”,- tha kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski.
 
Zaev: Shteti ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet
 
Kryeministri Zaev u zotua se shteti do të vë në dispozicion të plotë të gjitha kapacitetet e saja dhe do të veproj në bashkëpunim me vendet e rajonit dhe Evropës për tu përballur me krizën e mundshme energjetike. 
 
“Shteti ka kapacitete të saja të plota institucionale, financiare dhe kapacitete materiale që qëndrojnë në dispozicion për të intervenuar. Po, do të jetë krizë, shikoj shokun tim nga Shqipëria, Edi Rama, alarmoi, alarmoj gjithashtu edhe unë, kriza energjetike do të jetë e dukshme, çmimet janë të larta, por të presim javët dhe muajt e ardhshëm dhe të shohim se si po rrjedhin gjërat.”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Nga fillimi i shtatorit, çmimet e energjisë me shumicë në Gjermani dhe Francë janë rritur me 36% përkatësisht 48%, dhe 1 megavat orë arrin rekord deri 160 euro. Në Britani, çmimet janë në nivel enorm apo në 453 euro, nga 173 euro që ishin disa javë më parë.
 
ERSAN PAJAZITI