Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, KShZ: Përgatitjet janë në përfundim e sipër
12.10.2021 16:54
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka përfunduar të gjitha aktivitetet në përputhje me afatet ligjore...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka përfunduar të gjitha aktivitetet në përputhje me afatet ligjore për organizimin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit thotë për TVM-2 nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu. Për momentin por zhvillohet edhe një trajnim plotësues i kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve të komisioneve komunale për përdorimin e pajisjeve elektronike me të cilat për herë të parë në këto zgjedhje do të identifikohen gjurmët e gishtërinjve të votuesve.
“Ne si KShZ përgatitjet i kemi në fund. Prej sot deri ditën e premte mbahet edhe një trajnim plotësues me kryetarët dhe zëvendëskryetarët për përdorimin e pajisjeve për identifikimin e votuesve me gjurmët e gishtërinjve, kaloi edhe afati për paraqitjen e të sëmurëve gjithsej kemi 7890 kërkesa të cilët do të votojnë ditën e shtunë.”,- tha nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
Deri të premten Komisionet Komunale pranë KShZ-së do të shqyrtojnë dhe verifikojnë saktësinë e kërkesave për të votuar të personave të cilët janë me Covid-19 dhe në izolim.
“Gjithsej 476 kërkesa kemi pasur tani Komisionet Komunale do t’i drejtohen ISHP-së për vërtetuar nëse janë ata persona në izolim dhe të sëmurë me Covid-19 dhe besojmë deri nesër do të kemi numrin përfundimtarë se sa persona do të votojnë ditën e shtunë me Covid-19 apo janë në izolim.”,- u shpreh nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
Gjatë shqyrtimit të listës zgjedhore, përafërsisht 20 persona kanë kërkuar plotësim dhe ndryshim të të dhënave të tyre thonë në KShZ. Të enjten dhe të premten dorëzohet edhe materiali i besueshëm teksa të premten edhe pajisjet që do të përdoren ditën e zgjedhjeve për identifikimin e votuesve me gjurmët e gishtërinjve.
NAIM RAMADANI
