Screening-u i nxënësve, Filipçe: Nis javën që vjen, duhet leje nga prindërit

13.10.2021 16:22

Screening-u i nxënësve në shkollat fillore...

Screening-u i nxënësve në shkollat fillore e të mesme nis javën që vjen. Nga kjo e enjte do të fillojë kërkimi i lejeve nga prindërit e nxënësve që sistemi do t’i përzgjedhë nga e-ditari.

Ministri Filipçe thotë se shumica e të rinjve e kalojnë virusin pa simptoma e screeningu do të japë një pasqyrë të saktë për gjendjen.

Apelon që prindërit të mos kenë frikë pasi procedura është një bris i thjeshtë.

“Jemi vonuar një javë. Duhej të fillonte skriningu këtë javë dhe të përfundonte, megjithatë analiza sa i përket numrit të nxënësve në shkolla fillore dhe të mesme zgjati më tepër se parashikuam. Do të fillojmë të kërkojmë pajtim me shkrim nga ana e prindërve sipas metodologjisë dhe unë besoj se deri në fund të kësaj jave apo fillim të javës së ardhshme të sigurohen lejet e të mund të nisim me skriningun.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Filipçe: Nuk do të ketë valë tjetër, vaksinimi po funksionon

Filipçe nuk pret një valë të re Covid. Thotë se vaksinimi po jep efekt.

“Unë mendoj se nuk duhet të ketë një valë të fortë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të jemi të kujdesshëm dhe duhet të monitorojmë situatën. Natyrisht, vaksinimi bën të vetën. Procesi po jep efekt e kjo është vërtetuar në qytetet ku spitalet nuk janë të mbingarkuara. Dhe nëse njerëzit e vaksinuar infektohen, sëmundja ka  një formë më të butë, kjo vërehet në vendet e tjera ku mbulimi me vaksinim është mjaft i lartë.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Të hënën do të diskutohet për masat shtesë, që përfshijnë hyrje në ambiente të mbyllura vetëm për personat me dy doza vaksinimi, në përputhje me rekomandimet e KSI-së. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)