Rreth i ri bisedimesh mes Shkupit dhe Sofjes, Ruzhin: Zgjidhja, pas zgjedhjeve në Bullgari

13.10.2021 17:06

Sofja dhe Shkupi, deri në fund të tetorit....

Sofja dhe Shkupi, deri në fund të tetorit, do të ulen përsëri në një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhe për t'i hapur rrugën Maqedonisë së Veriut për t'u anëtarësuar në BE. Shpresat janë që pas zgjedhjeve në Bullgari, të mbizotërojë arsyeja për tejkalimin e keqkuptimeve midis dy vendeve. Të gjithë sytë janë drejt zgjedhjeve të ardhshme në Bullgari, pas të cilave pritet përparim në zgjidhjen e mosmarrëveshjes, pas vetos bullgare.

Profesori universitar, Nano Ruzhin, ish ambasador në NATO, evidenton disa zhvillime që, sipas tij, rrisin gjasat për zhbllokimin e procesit brenda këtij viti.

“Fillimisht është lajm i mirë që vazhdojnë bisedimet, pasi skenari më i keq është të mos ketë bisedime dhe e dyta, presioni që po bëjnë SHBA-të dhe BE ndaj vetos bullgare kundër ambicieve të Maqedonisë së Veriut, dëshmon se ky vendim po has në kritika gjithnjë e më të mëdha si te faktori ndërkombëtar por edhe në Bullgari; dhe e treta elita politike bullgare po fillon të mendojë në formë më produktive dhe është më fleksibile, prandaj pritet që marrëveshje të realizohet pas këtyre zgjedhjeve.”,- deklaroi profesori universitar, Nano Ruzhin.

Konform paralajmërimeve nga zyrtarë të lartë të vendeve përkatëse, raundi i ri i bisedimeve do të bazohet në protokollin dypalësh prej 6 pikash, i cili duhet të jetë gati deri në fillim të nëntorit. Udhëheqësia bullgare informoi se protokolli, i cili është baza e bisedimeve, përbëhet nga gjashtë pika dhe atë: emri i shkurtër dhe i gjatë i vendit; parandalimi i gjuhës së urrejtjes; rehabilitimi i viktimave të komunizmit; angazhim më i madh i Komisionit për Çështje Historike; mosndërhyrja në punët e brendshme dhe  përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Të dyja palët kanë konfirmuar se negociatat e nivelit të ekspertëve janë duke u zhvilluar midis Shkupit dhe Sofjes dhe se propozimet janë në tryezë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)