Digjitalizimi i arsimit, SAShK: I domosdoshëm, por duhen krijuar kushte

13.10.2021 17:58

SAShK e quan metodë të avancuar digjitalizimin e arsimit....

SAShK e quan metodë të avancuar digjitalizimin e arsimit, por përkujton se që ajo të funksionojë, duhen krijuar kushte, e jo të gjitha shkollat i kanë këto kushte. 

Kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov, përkujton se kjo metodë kërkon tableta dhe lap-topa për të gjithë nxënësit e jo të gjithë kanë pajisje digjitale në shtëpi. Prandaj libri duhet të mbetet edhe më tej mjet mësimor.

“Libra duhet patjetër të ketë, askush nuk guxon të ndalojë që librat të përdoren dhe me të vërtetë do të ishte dëm për çdo nxënës nëse nuk do të kishte kushte për mësim në shtëpi. Digjitalizimi është mënyrë e mirë e të mësuarit, por duhet të dimë se paraprakisht duhet të krijohen kushte që çdo nxënës të  ketë  kushte të barabarta për mësim edhe në shkollë por edhe në shtëpi sa i përket digjitalizimit.”,- deklaroi kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.

Të respektohet ligji, të rriten pagat e mësuesve

Në kongresin e 7, SAShK kërkoi edhe kushte më dinjitoze për mësimdhënësit që nisin që nga rritja e pagave.

“Shteti, pushteti por edhe Ministritë duhet të respektojnë ligjet. Bëhet fjalë për ligjin për pagë  minimale i cili i obligon  autoritetet të paguajnë rrogat në pajtueshmëri me ndryshimin e pagesës minimale. Kjo për fat të keq ende nuk është realizuar.”,- u shpreh kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.

Paralajmëroi marrëveshje të re kolektive për punonjësit e arsimit fillor dhe të mesëm. (Flutura Latifi, TVM2)