Veriu i Kosovës, tensione pas kontrolleve kundër kontrabandës
Të paktën 6 policë dhe dhjetra qytetarë....

Të paktën 6 policë dhe dhjetra qytetarë u lënduan gjatë kundërshtimit që i bëhej nga banorët e Mitrovicës së Veriut aksionit të policisë dhe doganës së Kosovës kundër kontrabandës me mallra.
Ky është epilogu i incidenteve që shpërthyen në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan të mërkurën.
“Deri sa në rajonet e tjera bastisja e policisë shkoi pa probleme, grupet kriminale u organizuan në Mitrovicën Veriore, duke bllokuar rrugët me mjete të ndryshme transporti dhe duke përdorur bombola gazi, shok bomba për të parandaluar funksionimin e doganierëve dhe policëve," thuhet një njëftimin zyrtar të policis së Kosovës.
Janë sekuestruar një sërë mallrash, të cilat dyshohen se janë kontrabandë. Pas situatës të tensionuar në Veri të Mitrovicës ka reaguar kryeministri, Albin Kurti, i cili tha se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell, këroi që incidentet e dhunshme në veri të Kosovës të ndalen menjëherë dhe se BE-ja është në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin për situatën e krijuar.
Kryeministrja serbe Ana Brnabiç i bëri thirrje NATO -s, e cila ka 3,000 paqeruajtës në Kosovë, të ndalojë dhunën.
Lidhur më gjendjen e krijuar të mërkurën në Mitrovicë, është deklaruar edhe NATO.
Në përgjigjen e tyre thuhet se “Policia e Kosovës po kryen një operacion të zbatimit të ligjit në të gjithë Kosovën. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet përkatëse në Kosovë dhe me përfaqësuesit e Komunitetit Ndërkombëtar”. Ndërsa edhe Shoqata e Gazetarëve në Kosovë ka shprehur shqetësimin për kushtet e pasigurta të punës për mediat që raportojnë për zhvillimet në veri të Kosovës. Në deklaratën e tyre thuhet se ka dyshime që gazetarë ishin sulmuar në Mitrovicën veriore. ((Sanije Duraku, TVM2)
