Samiti ekonomik i Ballkanit Perëndimor, me rëndësi të krijohet treg i përbashkët
Investimi në digjitalizimin e sektorit privat....

Investimi në digjitalizimin e sektorit privat, themelimi i një tregu të përbashkët rajonal është me rëndësi të madhe për ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, u tha gjatë samitit të “The Economist” në Shkup.
Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi tha se kriza me pandeminë e bëri të qartë se vendit i është e nevojshme procesi i “near shoring”, ku kompanitë e mëdha do të vinin për të investuar në vendet më pak të zhvilluara siç janë ato të Ballkanit Perëndimor.
“Duhet të punojmë për të përfshirë më shumë kompani tona në zinxhirët e furnizimit global dhe kështu të afrohemi me vendet e BE-së. Kjo krizë ka vërtetuar se zinxhirët e furnizimit, me prokurime nga vendet e largëta, nuk janë të qëndrueshme, dhe kjo është ajo ku ne shohim shansin tonë të përbashkët. Është e nevojshme që ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, të përqendrohemi në rritjen e konkurrencës rajonale, në vend që të intensifikojmë konkurrencën reciproke dhe kështu të krijojmë një treg të përbashkët.”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Me këtë rast u theksua se e rëndësishme është që vendet e rajonit të lidhen mes vete në të gjitha segmentet.
“Ne duam që më shumë të angazhohemi në rajon me BERZh për korridorin 8 dhe për korridorin hekurudhor 10, ku lidhja e tillë transportuese do të thotë përshpejtim i rritjes ekonomike dhe zhvillimit të mëtejshëm për të ulur dallimet mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Lidhshmëria nënkupton edhe digjitalizimin.”,- u shpreh shefi i divizionit të Bankës Evropiane për Investim, Mateo Rivelini.
Të nevojshme janë edhe investimet në kuadrin profesional.
“Një e treta e të rinjve në vend janë ose të pa arsimuar, ose nuk janë të arsimuar për vendet e punës për të cilat konkurojnë, ose nuk kanë aftësitë që punëdhënësit i kërkojnë.”,- u shpreh kryetari i BERZh - Maqedoni e Veriut, Andi Aranitasi.
Në këtë panel diskutim u theksua se për momentin po zbatohet procesi më i rëndësishëm strategjik, e ajo është krijimi i stragjegjisë nacionale afatgjate për zhvillim 2021-2041. (Ersan Pajaziti, TVM2)
