Javën që vjen nis skriningu në shkolla, Danillovski: Të testohen të gjithë nxënësit
Me qëllim të detektimit dhe prevenimit të Kovid-19....

Me qëllim të detektimit dhe prevenimit të Kovid-19, Ministria e Shëndetësisë do të fillojë javën e ardhshme skriningun e 8178 nxënësve me teste të shpejta.
Në këtë testim do të përfshihen 364 shkolla fillore dhe 109 të mesme, ndërsa nxënësit do të zgjidhen përmes ditarit elektronik me pëlqim të prindërve.
Realizimi i skrinigut është fillim i mire për detektimin e rasteve simptomatike, konsideron Epidemiologu Dragan Danillovski, po nëse duam që situatën epidemiologjike ta mbajmë nën kontroll nevojitet testimi i 240 mijë nxënësve një here në javë dhe testimet të bëhet në kontinuitet.
“Nuk duhet të testohen vetëm nxënësit që rastësisht do të përzgjidhen por të gjithë 240 mijë nxënës edhe atë minimum një herë ose dy here siç bëhet në Gjermani. Opsion tjetër më i lirë është të testohen vetëm ata nxënës të cilët do të kenë simptome respiratore, në mënyrë që nxënësit që janë pozitiv në Kovid-19 të izolohen.”,- tha epidemiologu, Dragan Danillovski.
Sa i përket ankesave të prindërve që fëmijët deri në klasën e katërt me vështirësi po mbajnë maskat dhe a duhet të ketë shkurtim të orëve Danillovski thekson se maskat për këtë grupmoshë nuk janë të patjetërsueshme.
“Duhet të ketë ajrosje të klasave dhe orë të shkurtuara por definitivsht për fëmijët e vegjël nuk nevojiten maska por si kompensim testim i të gjithë nxënësve për të pasur të qartë situatën epidemiologjike.”,- u shpreh epidemiologu, Dragan Danillovski.
Danillovski më tej shton se kemi rënie të numrit të infektuarve në shkolla me 1.5 për qind në ditë dhe shkollat deri më tani nuk kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes epidemiologjike. (Flutura Latifi, TVM2)
