Zgjedhjet Lokale 2021, nga mesnata e së shtunës, nis heshtja zgjedhore

15.10.2021 18:06

Fushata zgjedhore përfundoi e prej mesnatës së të shtunës...

Fushata zgjedhore përfundoi e prej mesnatës së të shtunës,  e  deri në përfundim  të votimeve të dielën, vendi është në heshtje zgjedhore, periudhë kjo që ju jep mundësi qytetarëve të reflektojnë . 

Në zgjedhjet e shtata lokale në RMV, të drejtë vote kanë 1.8 milion qytetarë që nga ora 7 e mëngjesit deri në 19 të mbrëmjes, në  3480 vendvotime. 

Një ditë më herët,  pra të shtunën votojnë të sëmurit dhe të pafuqishmit, personat me Kovid-19 dhe ata në vetizolim, të burgosurit, personat në paraburgim, në shtëpitë e pleqve dhe personat e zhvendosur brenda vendit.

Komisionet Komunale Zgjedhore pranuan kërkesat e 7921 personave të sëmurë ose të pafuqishëm për të votuar në shtëpitë e tyre, si dhe të 476 personave në izolim ose karantinë në shtëpi për shkak të Kovid -19, informojnë nga KSHZ .

Votimi tek të sëmurët dhe personat e pafuqishëm do të bëhet nga anëtarët e këshillave zgjedhorë ku ata janë regjistruar duke vizituar shtëpitë e tyre, ndërsa për personat me Kovid 19 dhe të izoluar votimi do të bëhet nga borde të veçanta zgjedhore të përbëra nga punonjësit shëndetësorë.

Një ditë më herët  votojnë  edhe të burgosurit, personat në shtëpitë e pleqve dhe të zhvendosurit brenda vendit.

Sipas informacioneve nga certifikatat e veçanta nga Lista zgjedhore, në burgje  të shtunën  votojnë 1899 persona, në shtëpitë e pleqve 351, ndërsa të drejtë vote kanë gjashtë persona të zhvendosur brenda vendit.

Për herë të parë në këto zgjedhje do të zbatohen identifikimi biometrik i votuesve, por personat që do të votojnë një ditë më herët, do të votojnë si më parë duke përdorur llambë UV, dhe spërkatës pa ngjyrë.

Rezultatet nga votimi i këtyre personave do të bëhen të ditura ditën e diel, bashkë me rezultatet e tjera.

Gjatë heshtjes zgjedhore, janë të ndaluara të gjitha format e paraqitjes zgjedhore mediale të pjesëmarrësve në fushatë. Shkelje e “heshtjes zgjedhore” konsiderohet edhe lajmërimi i hapur apo i fshehur për ndonjë pjesmarrës në fushatë. (Leunora Kaliqi, TVM2)