Jepte ryshfet për vota, arrestohet një person në Sveti Nikolë

16.10.2021 16:24

Shënohen shkeljet e para ligjore....

Shënohen shkeljet e para ligjore në këto zgjedhje. Prokuroria Themelore njofton se ka ngritur procedurë për korruptim gjatë zgjedhjeve dhe votimit në Sveti Nikollë, ku një person dyshohet se ka kryer këtë vepër penale në vazhdimësi.

Procedura po ndiqet edhe kundër katër personave që kanë marrë ryshfet.         

“I dyshuari, më 15 tetor të vitit 2021, në komunën Lozovë është vënë re se si u jep para qytetarëve për të votuar për një kandidat të pavarur. Me vërtetim është marrë dokumentacioni dhe paratë që janë gjetur te i dyshuari.” – thuhet në kumtesën e Prokurorisë Publike.

Përderisa i dyshuari është mbajtur në stacionin policor, me udhëzime të Prokurorisë, nëpunësit policor grumpullojnë njoftime nga personat që kanë pranuar paratë në vlerë prej 3000 denarë.

Kërcënoi kandidatin në “facebook”, 8 ditë paraburgim për të dyshuarin

Ndërkohë, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prilep i është hequr liria një personi 27 vjeçar, i cili në rrjetin social fejsbuk ka kërcënuar një kandidat për kryetar të Komunës Prilep. 

“Personit të denoncuar gjatë ditës së djeshme iu hoq liria në pikën kufitare Tabanoc gjatë hyrjes në shtet dhe është shoqëruar për t’u marrë në pyetje në prokurori.” – thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

Me propozim të prokurorit publik, gjykatësi në procedurën paraprake i ka caktuar të dyshuarit masën paraburgim në kohëzgjatje prej 8 ditë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)