Botë
Kosova voton për zgjedhjet lokale, KQZ: Janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimit
17.10.2021 11:32
Sot në Republikën e Kosovës po mbahen Zgjedhjet Lokale të shtatat me radhë për kuvende komunale dhe të pestat për kryetarë të komunave....

Sot në Republikën e Kosovës po mbahen Zgjedhjet Lokale të shtatat me radhë për kuvende komunale dhe të pestat për kryetarë të komunave. Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të përditësuara në ora 11:00, deri tani kanë votuar 73 mijë e 928 qytetarë.
“Zgjedhjet mbahen për të zgjedhur 38 kryetarët e komunave dhe 1,002 anëtarët e 38 kuvendeve komunale. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje është: 5 mijë e 364 kandidatë,numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 1 milion e 885 mijë e 448. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, të drejtën e votës, dhe të dalin për të votuar.”,- tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Zgjedhjet do të monitorohen nga mijëra vëzhgues të vendit, ndërsa Bashkimi Evropian tashmë ka dërguar një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale.
GYLTENE SINANI
