Maqedoni
OSBE-ODIHR: Nuk japim vlerësim në ditën e zgjedhjeve
17.10.2021 12:52
Zyra e OBSE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut – ODIHR i monitoron zgjedhjet lokale me ftesë të Qeverisë...

165 vëzhgues të OSBE-ODIHR-it, prej të cilëve 126 afatshkurtër, janë vendosur për të monitoruar zgjedhjet lokale në vendin tonë. Shefja e misionit të OSBE ODIHR-së, tha se me mbi 100 vëzhgues është shumë më lehtë të nxirret statistika e saktë rreth zhvillimit të zgjedhjeve. Kjo ju mundëson atyre që të kryejnë monitorim sistematik të vendvotimeve, gjë që për ta nuk ishte e mundur vitin e kaluar. Ajo gjithashtu iu referua përdorimit të pajisjeve biometrike të identifikimit të gjurmëve të gishtërinjve, të cilat përdoren për herë të parë gjatë votimit në Maqedoni.
“Ne ndoqëm hapjen në 54 vendvotime. Kjo është një teknologji e re dhe ne, si votuesit, ndjekim mënyrën e përdorimit të saj. Është shumë herët për të nxjerrë përfundime, por i vërejtëm të gjitha vështirësitë, si dhe pjesëmarrjen. Për vlerësimin tonë duhet të presim deri nesër. Ne preferojmë të mos komentojmë gjatë votimit.”,- tha shefja e Misionit të OSBE-ODIHR-it, Tana De Zulueta.
Ajo gjithashtu përmendi se vëzhguesit afatgjatë mbërritën në Maqedoni më 7 shtator, ndërsa vëzhguesit afatshkurtër mbërritën të mërkurën dhe do të qëndrojnë deri në numërimin e votave. Misioni i OSBE/ODIHR do të qëndrojë në vend edhe gjatë raundit të dytë nëse është e nevojshme.
SANIJE DURAKU
