Maqedoni
Osmani: Zgjedhjet të suksesshme, BDI fiton në tre komuna që në rrethin e parë
17.10.2021 21:03
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani në konferencën e parë për shtyp pas pëtfundimit të votimit për zgjedhjet lokale....

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani në konferencën e parë për shtyp pas pëtfundimit të votimit për zgjedhjet lokale theksoi se fillimisht presin fitore në tre komuna që në rreth të parë. Ai tha se epërsi të madhe partia e tij ka edhe pothuajse të gjitha komunat ku kanë kandidatë.
“Sipas rezultateve preliminare nga votat e numëruara deri më tani, që në rrethin e parë presim fitore të BDI-së në Saraj, Pllasnicë, Likovë. BDI ka epërsi në të gjitha komunat e tjera ku merr pjesë me kandidatë të vet dhe mund të them se e tërë pjesa është gjelbëruar. Sipas njohurive fillestare, BDI është në epërsi për shembull në Çair kam njohuri të pakonfirmuara se raporti është 2-1 për BDI-në dhe është e madhe epërsia dhe mundësia për fitore që në rreth të parë, por nuk kam vërtetim të konfirmuar. Në Kumanovë raporti është 3-1 për BDI-në. Trendet çojnë drejt fitores së madhe të BDI-së”, theksoi në konferencë për shtyp Bujar Osmani.
Sipas zëdhënësit të BDI-së, rrethi i parë ka përfunduar me sukses, ndërsa së bashku me fushatën ai vlerësoi se është krijuar një rreth i suksesit politik.
“Zgjedhjet përfunduan me sukses edhe përkundër sfidave të vogla teknike të cilat shpejtë u mënjanuan dhe nuk e penguan procesin zgjedhor. Dalja tejkaloi deri 50 për qind dhe jep legjitimitet thelbësor politik me autoritet të plotë që përfaqësuesit e zgjedhur t’i ndërmarrin funksionet dhe me kapacitet të plotë t’i zbatojnë premtimet politike në fushatë”, theksoi Bujar Osmani.
Vlerësoi se me zgjedhjet konfirmohet suksesi i shtetit si demokraci e pjekur politike, vend i cili jo rastësisht është anëtare e NATO-s dhe kandidate për hyrje në BE./Mia
