Shqipëri, studentët kundër vaksinimit dhe tetsit Covid

18.10.2021 12:41

Viti i ri akademik 2021-2022 ka nisur me tensione....

Viti i ri akademik 2021-2022 ka nisur me tensione sot në disa fakultete të Shqpërisë, pas kushtit të hyrjes me vaksinë COVID-i ose test negativ.

Studentët e pavaksinuar janë përplasur me tre policët e vendosur në hyrje të godinës së Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në nisjen e vitit të ri akademik.

Ata që kanë pasur dokumentin e vaksinimit ose të tamponit negativ kanë hyrë të qetë, por ata që nuk i kanë plotësuar kushtet janë lënë jashtë duke hasur kundërshtime.

Në Universitetin Politeknik të Tiranës gjithashtu ka pasur kontrolle që në hyrje dhe të pavaksinuarit e studentët që nuk kanë pasur një dokument se kanë kryer test COVID janë lënë jashtë godinës.

Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, janë vaksinuar rreth 30% e studentëve.

Disa prej fakulteteve kanë bërë përjashtim, duke lejuar të hyjnë edhe studentët që nuk plotësojnë kushtet. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për ndërgjegjësimin e të rinjve që të vaksinohen, jo të gjithë janë të bindur për efektivitetin e saj, edhe pse e dinë rrezikun për humbjen e vitit akademik ata shpresojnë në ndryshimin e urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë që vaksina të mos jetë e detyrueshme për të zhvilluar mësim.

Pikat e vaksinimit do të qëndrojnë hapur edhe në javën e parë të nisjes së vitit akademik.

Sot hyjnë ata që kanë bërë vetëm një dozë, por çfarë do të ndodhë këtë të hënë me studentët e pavaksinuar që nuk tregojnë tamponin negativ, është ende e paqartë.