Botë

Zgjehdjet lokale në Kosovë, 17 komuna u fituan pa balotazh, 21 në rreth të dytë

18.10.2021 15:28

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë në bazë të rezultateve preliminare në 17 komuna është shënuar fitore që në rrethin e parë...

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë në bazë të rezultateve preliminare në 17 komuna është shënuar fitore që në rrethin e parë, ndërsa në 21 komuna fituesi do të dihet pas rrethit të dytë.  Në rrethin e parë Lista Serbe Ka fitur 9 komuna, PDK 4, AAK dy dhe LDK dy komuna.

Ndërsa Vetëvendosje nuk ka fituar anjë komunë në rrethin e parë, por garon në 12 komuna në rrethin e dytë përfshi edhe Prishtinën, ku kandidati i sajë Arben Vitia është rradhitur i pari dhe në rrethin e dytë do të përballet me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, i cili doli i dyti në këto zgjedhje.

LDK në rreth të dytë do të garojë në 9 komuna, PDK në 8, AAK në 5, dhe 8 parti të tjera më të vogla do të jenë në garë me kandidat në rrethin e dytë. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se KQZ po punon që të arrijë afatet ligjore sepse pas katër javësh duhet ta organizojë raundin e dytë të zgjedhjeve.

“KQZ-ja do të punojë maksimalisht që ne të arrijmë afatet ligjore, në mënyrë që të përgatitemi për raundin e dytë të zgjedheve për Kryetarë të Komunave, që sipas ligjit duhet të mbahet katër javë pas raundit të dytë", u shpreh Valmir Elezi nga KQZ.

Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti njëherit edhe kryeministër tha se Kosova ka mbajtur zgjedhjet lokale të të lira dhe demokratike ndërsa u shpreh I kënaqur me numrin e komunave që partia e tij do të garojë në rreth të dytë.

“I kënaqur që të shoh kaq shumë kandidatë tonë në balotazh, kjo është një shans që të vazhdojmë të flasim e të diskutojmë me qytetarët e Kosovës se si t’i mbrojmë e avancojmë të arriturat e këtij gjysmë viti të qeverisjes së mirë dhe se si t’i zgjerojmë mundësitë dhe të shtojmë kujdesin për të gjithë”, theksoi kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti.                                 

Ndërsa Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm në zgjedhjet lokale.    

“PDK-ja ka qenë e fortë, mbetet dhe do të bëhet edhe më e fortë. Bazuar në të dhënat tona nga terreni, PDK tashmë ka fituar pa balotazh, në Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj, Kaçanik dhe Han të Elezit. Ne jemi në balotazh dhe do ta fitojmë, Prizrenin, Drenasin, Malishevën, Klinën e shumë komuna tjera”, u shpreh kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.        

Sipas rezultateve të KQZ-së nëpër komuna, PDK ka fituar 205 mijë e 856 vota. Lëvizja Vetëvendosje 205 mijë e 837 vota, LDK 175 mijë e 887 vota dhe AAK  93mijë e 278 vota. Në zgjedhjet e së dieles te PDK, LDK dhe AAK, kanë pasur ngritje të votave në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare. 

Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, raundi i dytë mbahet katër javë pas mbajtjes së raundit të parë.

GYLTENE SINANI