Futboll

Cruz Azul kundërshtar i Realit në gjysëmfinalen e Botërorit të Klubeve

14.12.2014 15:40

Do të jenë meksikanët e Cruz Azul, kundërshtarët e Real Madridit në gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve që po zhvillohet në Marok...

Skuadra amerikano-latine kaloi në çerekfinale australianët e Western Sydney Wanderers, me rezultatin 3-1, edhe pse për të caktuar fituesin u desh të luhej koha shtesë.
 
Ndeshja e luajtur në stadiumin "Princi Moulay Abdallah" u zhvillua në kushte të vështira, për shkak të terrenit të rënduar nga rreshjet e mëdha të shiut.
 
Golin e parë e realizoi Iacopo La Rocca për kampionët e Azisë, por kapiteni i Cruz Azul, Gerardo Torrado shndërroi në gol një 11 metërsh, një minutë nga fundi duke e çuar sfidën në kohën shtesë.
 
Australianët pësuan golin e dytë në minutën e 108, përmes Mariano Pavones, ndërsa 10 minuta më vonë Gerardo Torrado shënoi edhe golin e dytë personal, duke siguruar kualifikimin e meksikanëve që tashmë duhet të bëjnë llogaritë me kampionët e Evropës.
 
Sfida mes Cruz Azul dhe Real Madridit, do të luhet ditën e martë në qytetin e Rabatit, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër përplasen Auckland City, që dje në çerekfinale mposhti Es Setifin algjerian dhe San Lorenzo, kampioni i Amerikës Latine.
 
Finalja do të zhvillohet në datën 20 dhjetor në Marrakesh.