Von Der Leyen, BE do ti kundërpërgjigjet Polonisë
Komisioni Evropian do t'i përgjigjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë....

Komisioni Evropian do t'i përgjigjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë, tha presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, ligjvënësve të BE-së dhe kryeministrit polak, Mateusz Moraëiecki.
"Ne nuk mund, dhe nuk do të lejojmë që vlerat tona të përbashkëta të vihen në rrezik", tha von der Leyen.
Sipas saj janë tri opsione që mund të merren si masa ndaj Polonisë: hapja e procedurave të reja të shkeljes, veprimi përmes mekanizmit të ri të kufizimit të buxhetit ose përdorimi i procedurës së Nenit 7, i cili në fund të fundit mund t'i heq Polonisë të drejtat e votimit të BE -së.
Reagimi i BE-së vjen pasi gjykata Kushtetuese e Polonisë ka vendosur që të hedhë poshtë parimin e përparësisë së ligjit të BE-së mbi legjislacionin kombëtar, në çështje të caktuara gjyqësore.
Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa nene të traktatit të BE-së nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Polonisë. Dhe, sipas saj, gjykatësit polakë nuk duhet ta përdorin ligjin e BE-së për të vënë në dyshim pavarësinë e kolegëve të tyre.
Rasti është paraqitur në Gjykatë nga kryeministri polak. Kjo është hera e parë në historinë e BE-së që udhëheqësi i një shteti anëtar vë në dyshim traktatet e bllokut në Gjykatën Kushtetuese.
