Zgjedhjet lokale në RMV dhe Kosovë, Andoni: Qytetarët dhanë mesazh të qartë

19.10.2021 12:53

Rezultati paraprak i zgjedhjeve vendore në Maqedoninë e Veriut....

Rezultati paraprak i zgjedhjeve vendore në Maqedoninë e Veriut, për analistin nga Shqipëria Ben Andoni, është fatura që i është dashur të paguajë kreut të  LSDM, Zoran Zaev, për përqendrimin e energjive të tij në të ardhmen europiane të vendit që po vonon të vijë, e  që nga qytetarët duket se u konceptua  si dekoncentrim nga problemet reale lokale  me të cilat ata përballen.

Për Andonin, një tjetër faktor shqetësues, ishte edhe përçarja e votës shqiptare.

“Zaev po vuan jashtëzakonisht gjithë atë politikë proeuropiane por nga ana tjetër edhe një lloj lodhje të jashtëzakonshme të bazës me premtimet europianiste të tij. Ka një largësi me pritshmëritë që pjesa më e madhe e elektoratit ka ndaj politikave të qeverisë. Për ne është shumë shqetësues  edhe fakti që faktori politik shqiptar ka qenë shumë i përçarë dhe ka pasur parti që kanë mbështetur edhe VMRO-DPMNE-në.”,- tha analisti, Ben Andoni.

Rezultate jo të kënaqshme pati edhe Albin Kurti në Kosovë dhe Ben Andoni  thotë se,  megjithëse Kurti po mundohet  të krahasojë zgjedhjet e vitit 2021 me ato të 4 viteve më parë kur morën vetëm tre komuna, ajo që ai e quan fitore, në fakt është ndëshkim për diskursin politik nacionalist  që po përdor gjatë kësaj kohe në pushtetin qendror.

“Kosova na ka dhënë një mësim të gjithëve për mënyrën e riciklimit dhe efikasitetit të elitave të   reja politike. LSD e PDK na e treguan deri diku. Vetëvendosja ka marrë një mësim të mirë për kauzat nacionaliste pupuliste që nxirrte.”,- theksoi Andoni.

Megjithatë, sipas Andonit, gjërat do të jenë më të qarta pas raundit të dytë, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Kosovë. (Luljeta Ndoka, TVM2)