Zgjedhjet lokale 2021, ASh-AA: Presim mbështetje nga të gjithë në Çair
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa....

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa presin një kthesë të madhe në rrethin e dytë në Komunën e Çairit thotë shefi i shtabit të këtij koalicioni, Zeqirija Ibraimi.
Sipas rezultateve që kemi jo vetëm që kemi shpresë për kthesë por ka bindje të thellë se ky ndryshim do të ndodhë thotë Ibraimi.
Këtë ndryshim sipas tij do ta bëjnë pikërisht qytetarët që nuk kanë dalë në rrethin e parë për të votuar por edhe votuesit e partive të tjera që kanë përfunduar me procesin zgjedhorë që në rrethin e parë. Ai gjithashtu tha se Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në rrethin e dytë në Komunën e Çairit presin mbështetje për kandidatin e tyre Bekim Sali edhe nga votuesit e partive të tjera si dhe nga votuesit e VMRO-DPMNE-së, por edhe nga votuesit e tjerë e që janë pjesë e bashkësive të tjera etnike në Komunën e Çairit, prej Turqve, Romëve dhe Goranëve, sepse siç tha Ibraimi qëllimi i zgjedhjeve lokale nuk është garë për brende politike por bëhet fjalë për të parin e komunës i cili duhet të kujdeset për të gjithë njëlloj.
“Nga rrethi i dytë i zgjedhjeve mund të ju them se ne jo vetëm që kemi shpresë por jemi të bindur se kemi një kthesë të madhe në Çair dhe këtë na i përdëftojnë numrat qoftë të votuesve që nuk kanë dalë të votojnë qoftë të votuesve të partive të cilat kanë garuar vetëm me lista zgjedhore e që tash janë të gatshëm ta mbështesin kandidatin tonë, por mendoj se edhe është një frymë përgjithshme në komunën e Çairit që do të vijë ndryshimi edhe këtu. Ne presim mbështetjen e të gjitha komuniteteve në Çair dhe jo vetëm të votuesve shqiptarë për shkak se kryetari i komunës nuk është vetëm i shqiptarëve por është edhe i maqedonasve, turqve, romëve i goranevë dhe i gjithë qytetarëve të Çairit dhe çdo votë është e mirëseardhur.”,- deklaroi Zeqirija Ibraimi nga ASH-AAA.
Zeqirija Ibraimi vlerësoi se procesi zgjedhor në rrethin e parë ka qenë mjaft i vështirë për shkak siç tha ai të presionit të madh që e kanë ushtruar individ të caktuar të partisë në pushtet BDI të cilët sipas tij kanë ushtruar presion mbi votuesit për çka është dashur edhe intervenimi i policisë.
I pyetur nëse Alternativa do të mbështesë kandidatin e “Besës” në Tetovë, Ibraimi tha se akoma është herët të prononcohen nëse dhe cilin kandidat do të mbështesin në komunat ku nuk kanë kandidatin e tyre. (Naim Ramadani, TVM2)
