Progres-raporti, Sorreca: Koha që BE të mbajë premtimin

20.10.2021 11:22

Në progres-raportin e fundit të Komisionit Europian thuhet se Shqipëria ka bërë përparim në reforma...

Në progres-raportin e fundit të Komisionit Europian thuhet se Shqipëria ka bërë përparim në reforma, por nga ana tjetër nuk ka rezultat sa i përket integrimit të vendit.
 
Ambasadori i BE-së në Tiranë theksoi se tashmë është koha që BE-ja të mbajë premtimin. Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria i ka arritur rezultatet, por është BE-ja që nuk po i arrin.
 
“Unë mendoj se integrimi ndodh dita-ditës, dhe Shqipëria po integrohet dita-ditës në BE edhe në sajë të shkëmbimeve të frytshme që ndodhin edhe në anën e asistencës financiare të BE-së. Për hapat e mëtejshëm, unë kam qenë tejet i qartë se Shqipëria ka dhënë rezultate dhe tani është koha që BE-ja të mbajë premtimin e vet, pra shtetet anëtare të lexojnë raportin dhe të gjejnë pikat e forta për të kaluar ato çështje dypalëshe që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ulen në atë tryezë.”,- tha ambasadori i BE-së në Shqipëri, Soreca.
 
Rama: Është BE që nuk po i arrin rezultatet, jo Shqipëria
 
“Ka një nuancë që duhet theksuar në fjalën rezultat. Në fakt, Shqipëria i ka arritur rezultatet që duhet të arrinte në këtë fazë, është BE-ja që nuk po arrin rezultat. Rezultatet që ka arritur Shqipëria janë në raport. Nëse ne vazhdojmë reformat dhe KE, që është gjykatësi i vetëm objektiv në këtë proces, nëse ne vazhdojmë të bëjmë përparim, këto përparime nuk i bëjmë se do të shkojmë të marrim provimin, por që të qëndrojnë këtu, që Shqipëria të bëhet më e mirë.”,- u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 
 
LULJETA NDOKA