Zgjedhjet lokale 2021, KShZ pranoi 13 ankesa për procedurën e votimit
20.10.2021 12:26
13 ankesa për procedurën për votimin e së dielës

13 ankesa për procedurën për votimin e së dielës, janë dorëzuar deri në mbarimin e afatit ligjor në KShZ. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka gjashtë ankesa në Dibër, Shuto Orizarë dhe Gostivar. Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ka parashtruar tre ankesa, për komunën e Qendrës, në Dollnen dhe Saraj. 4 ankesa ka parashtruar koalicioni i udhëhequr nga LSDM. Dy ankesa janë parashtruar nga Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, e që kanë të bëjnë me heshtjen zgjedhore. Sipas zëdhënësit të KShZ-së, Admir Shabani, dy ankesa tanimë janë refuzuar, ndërsa të tjerat janë në shqyrtim.
“Deri tek Komisioni i Zgjedhjeve në afatet e parapara nga ana e kodit zgjedhor kanë arritur gjithsej 13 kundërshtesa. KShZ prej momentit të pranimit të këtyre kundërshtesave ka afat prej 72 orëve që të njëjtat ti shqyrtoj dhe të sjellë vendimi meritor. Gjithashtu KSHZ gjatë ditës së sotme shqyrtoi dy ankesa për thyerjen e heshtjes zgjedhore të cilat i hodhi poshtë. Gjatë ditës së nesërme parashihet që të mbajë mbledhje dhe ti shqyrtoj këto 13 ankesa të cilat kanë arritur deri në adresën tonë për sa i përket procesit të sumimit dhe verifikimit të votave.”,- deklaroi zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
Sipas librit të afateve për aktivitete zgjedhore, KShZ-ja është e obliguar që në afat prej 72 orëve pas pranimit të ankesës, të marrë vendim. Kundër vendimit të KShZ-së, parashtruesi i ankesës mund të ngrejë padi deri te Gjykata administrative në afat prej 24 orëve nga marrja e vendimit.
FITIM KRYEZIU
