Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, BDI kërkon mbështetje edhe për rrethin e dytë
20.10.2021 17:54
Kandidatja e BDI-së për kryetare në komunën e Tetovës, nga radhët e BDI-së, Teuta Arifi...

Kandidatja e BDI-së për kryetare në komunën e Tetovës, nga radhët e BDI-së, Teuta Arifi, edhe sot vazhdoi takimet zgjedhore për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Ajo premtoi se 4 vitet e ardhshme do të angazhohet edhe më shumë në përmirësimin e kushteve arsimore për fëmijët me nevoja të veçanta si dhe përfshirjen e tyre të rregullt edhe në shkollat e mesme.
“Kjo është një nevojë për familjarët, për familjet me fëmijë të cilët e kanë këtë nevojë, mirëpo koncepti ynë i inkluzivitetit, i përfshirjes së rregullt të këtyre fëmijëve në procesin e rregullt mësimor, është një aspekt dhe një Program I yni të cilin ne gjithsesi do e vazhdojmë edhe më tej edhe me planin tonë që kemi që gjatë katër viteve të ardhshme këtë program ta vazhdojmë edhe në shkollat e mesme.”,- tha kandidatja për kryetare në komunën e Tetovës – BDI, Teuta Arifi.
BDI kërkon mbështetje masovike edhe një herë në rrethin e dytë në të gjitha komunat ku kandidatët e tyre garojnë. Thonë se fokusi i tyre në Shkup është komuna e Çairit, ndërsa në in për qytetin e Shkupit, ftuan anëtarësinë dhe qytetarët që të mbështesin kandidatin e LSDM-së Petre Shilegov pasi me të në krye të kryeqendrës, për herë të parë të gjithë qytetarët e Shkupit kanë një vetëqeverisje lokale që kujdeset për të gjithë, pavarësisht nëse ata jetojnë në anën e majtë apo të djathtë të Vardarit.
“Në Shkup pas fitores në Saraj fokusi politik qendror është komuna e Çairit, ku pa dallim epërsisë së madhe në raundin e parë, punojmë çdo ditë në teren për të siguruar kontinuitet të projekteve të nisura. Besoj që qytetarët do të konfirmojnë besimin të cilin e morëm në raundin e parë. I ftoj të gjithë shqiptarët pa dallim përkatësisë partiake, që t’i japin besimin kryetarit të deritanishëm të Shkupit Petre Shilegov.”,- u shpreh Bujar Osmani nga BDI.
Osmani gjithashtu falënderoi qytetarët për mbështetjen e tyre në raundin e parë të zgjedhjeve lokale ku listat e këshilltarëve të BDI-së morën gati 130,000 vota dhe kandidatët për kryetarë komunash rreth 104,000. Në raundin e parë, integruesit fituan tre mandate për kryetar komune në Likovë, Saraj dhe Pllasnicë.
SANIJE DURAKU
