United i pamëshirshëm për Liverpool
I pamëshirshëm ka qenë Manchester Unitedi në kryendeshjen e javës së 16-të të Premier Ligës, duke fituar me rezultatin 3-0 kundër Liverpoolit...

Në dy shanset e vetme që patën në gjysmën e parë të takimit në Old Trafford, nikoqirët shënuan dy gola.
Valencia dërgoi një top të mrekullueshëm drejt Wayne Rooneyt, i cili pati hapësirë për të goditur dhe topi u ndal në rrjet, që në minutën e 12.
Ndërkohë, pesë minuta para mbylljes së pjesës së parë, pas një harkimi të Ashley Young, Van Persie asistoi te Juan Mata, i cili e shënoi golin e dytë nga pozita jashtë loje, gjë të cilën nuk e vërejti arbitri Martin Atkinson, bashkë me asistentët e tij.
As inkuadrimi i Mario Balotellit në pjesën e dytë, nuk ndryshoi asgjë në lojën e Redsave dhe për me keq, ata pranuan edhe një gol tjetër.
Mata nisi një kundërsulm dhe pas bashkëpunimit me Rooneyn, spanjolli asistoi te Robin van Persie, i cili shënoi golin e tretë të vendasve, në minutën e 71, me çka edhe u vulos fitorja e thellë në derbin e madh të Anglisë.
Me këtë triumf, të gjashtin të njëpasnjëshëm, “djajtë e kuq” mbetën në pozitën e tretë në rënditjen e Premier Ligës, me 31 pikë, tetë më pak se lideri Chelsea, ndërsa Liverpooli është shumë larg, në pozitën e tetë, me 21 pikë.
