Rritet numri i viktimave, pamje apokaliptike nga përmbytjet në Indi e Nepal

21.10.2021 12:45

Më shumë se 150 persona kanë humbur jetën...

Më shumë se 150 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë shpallur të humbur si pasojë e përmbytjeve që kanë përfshirë, prej disa ditësh, Indinë dhe Nepalin. Ekipet e shpëtimit po bëjnë përpjekje maksimale për shpëtimin e të mbijetuarve por situate mbetet e rëndë.

Zonat më  të goditura nga përmbytjet  në Indi janë Uttarakhandi dhe Kerali. Në Kerala, autoritetet hapën portat e hidrocentraleve, pasi uji ka arritur në nivele ekstreme dhe kërcënon një fatkeqësi më të rëndë nëse digat çahen. Raportohet edhe për më shumë njerëz të zhdukur dhe për shumë shtëpi të shkatërruara.

Shkollat janë mbyllur, veprimtaritë turistike e fetare, janë pezulluar. Autoritete indiane thanë se do të dëmshpërblejnë me nga rreth 5.300 dollarë familjarët që kanë humbur më të dashurit e tyre si dhe ndihma shtesë për kompensimin e dëmeve .

Qeveria e Nepalit ka premtuar 1.700 dollarë për familjarët e viktimave. Meteorologët thonë se intensiteti I reshjeve në zonat e goditura në Indi po bie, gjë që nuk mund të thuhet edhe për Nepalin. Atje 31 persona janë vrarë nga rrëshqitjet e dheut, për të cilat ekspertët deklarojnë se janë përherë e më të zakonshme dhe vijnë si pasojë e shkrirjes së akullnajave në Himalaje.