Rriten shifrat Covid, disa vende europiane rikthejnë masat
Letonia të mërkurën u bë shteti i parë anëtar i BE-së....

Letonia të mërkurën u bë shteti i parë anëtar i BE-së që mbylli përkohësisht aktivitetet ekonomike, pasi rritja e rasteve Covid, shtoi presionin mbytës mbi sistemin shëndetësor.
Vendi mbylli baret dhe dyqanet, vendosi kufizime të lëvizjes , ndërkohë që edhe mësimi për studentët do të jetë online. Edhe Estonia pritet të ndjekë të njëjtin shembull.
Rumania kërkon ndihmë nga OBSH pas rritjes alarmante të numrit të viktimave. Atje shkollat janë mbyllur për dy javë dhe u rikthye obligimi i mbajtjes së detyrueshme të maskave.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Bullgari, shteti anëtar i BE -së me shkallën më të ulët të vaksinimit , e ku vetëm 1 e 5-ta e popullsisë është e vaksinuar.
Qeveria ka vendosur disa kufizime për hyrjen në restorante, dyqane dhe galeri dhe shkollat do të mbyllen. Rusia ka vendosur kufizime të ashpra që nga maji. Në 24 orët e fundit atje u regjistruan 1.036 të vdekur e 36.339 raste të reja , duke e bërë Rusinë vendin me numrin më të madh të fataliteteve në Europë. Vetëm rreth 45 milionë rusë nga popullsia prej gati 146 milionësh janë vaksinuar plotësisht kundër Covid-19.
