Filipçe rreth vaksinës së tretë”: Rekomandim i institucioneve ndërkombëtare

21.10.2021 14:35

Deri tani me një dozë të vaksinës anti Kovid....

Deri tani me një dozë të vaksinës anti Kovid janë vaksinuar 57% e qytetarëve të moshës madhore, ndërsa me dy doza 46% e qytetarëve mbi 18 vjeç.

Po ashtu 2 mijë e 365 qytetarë të vendit tanimë kanë marrë edhe dozën e tretë të vaksinës, pasi Komiteti Nacional për Imunizim rekomandoi që qytetarët e vaksinuar me “Sinovak” dhe “Sinofarm” të marrin dozën e tretë të vaksinës së “Fajzer”, tre muaj pas vaksinimit.

Vetëm të mërkurën njëmijë e 68 qytetarë e kanë marrë dozën e tretë, bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ne i ndjekim rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare dhe një pjesë e tyre rekomandojnë që qytetarët e vaksinuar me vaksinën e “Sinofarm” më herët ta marrin dozën e tretë. Ndërsa ende vlen rekomandimi për gjashtë muaj, për të vaksinuarit me “Astra” dhe “Fajzer”.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Virusi së fundmi po përhapet te të pavaksinuarit

Numri i personave të pavaksinuar ende është i madh dhe së fundmi virusi po përhapet kryesisht te personat e pavaksinuar, thekson ministri Filipçe, i cili njëherit paralajmëron se në mbledhjen e ardhshme të Komisionit për Sëmundje Infektive do të diskutohet obligueshmëria e dy dozave të vaksinës për hyrje në ambientet e mbyllura.

“Qëllimi i paralajmërimit para tre deri në katër javë ishte që qytetarët ta kenë parasysh, të kenë kohë që t’i marrin dy vaksina dhe paralajmëruam se kjo do të aplikohet në fund të tetorit ose fillim të nëntorit. Pres që ky diskutim të zhvillohet në takimin e ardhshëm të komisionit në bazë të qëndrimit të epidemiologëve.”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ministria e Shëndetësisë njëherit ka njoftuar se do të furnizohet me ilaçin e vetëm kundër Kovid-19, “molnopiravir” prodhim i kompanisë MSD, i cili është në formë tabletash dhe mund ta përdorin të gjithë pacientët e prekur nga Kovid-19.

Ilaçi jepet në pesë ditët e para nga diagnostifikimi me virusin Korona, ndërsa analizat flasin se hospitalizimi falë këtij ilaçi është zvogëluar për 50%.  (Gyltene Sinani, TVM2)