Athinë, takimi Xhaferi-Tasullas: Greqia t’i miratojë ratifikimet për bashkëpunim

22.10.2021 11:13

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi....

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, u takua me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Greqisë, Konstantinos Tasullas, në margjinat e Konferencës së kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Xhaferi sugjeroi se në parlamentin grek akoma nuk janë miratuar ratifikimet me të cilat avancohet bashkëpunimi me Republikën e Maqedonisë së Veriut në më shumë fusha, përfshirë edhe në pjesën e eurointegrimeve dhe kërkoi ratifikimin e tyre sa më të shpejtë me qëllim që të vihen në funksion.

Kryetari i parlamentit grek  Tasullas shprehu kënaqësi të madhe për këtë, siç e quajti, takim të parë të shumëpritur në nivel të kryetarëve të parlamenteve dhe theksoi se kjo konfirmon se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve përparojnë.

U pajtua se Grupet e Bashkëpunimit duhet ta vendosin dhe zhvillojnë bashkëpunimin parlamentar edhe konkretisht, në vend që ekzistimi i tyre të mbesë vetëm në letër dhe potencoi se parlamenti grek do të përpiqet që përmes mekanizmave të bashkëpunimit që i ka në dispozicion ti ndihmojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe në këmbimin e përvojave në procesin e eurointegrimit.