Maqedoni
Strugë, shënon rritje dhuna në familje
24.10.2021 13:49
Në rajonin e Strugës janë rritur rastet e dhunës në familje...

Edhe pse në këtë rajon, viktimat e dhunës janë kryesisht të heshtura, këtë vit janë raportuar 15 raste të dhunës në familje, që është dy herë më shumë se vitin e kaluar. Sipas sociologëve, arsyeja e mos raportimit janë traditat dhe është karakteristike se në asnjë rast nuk është ndërprerë lidhja martesore. Vetëm një grua nga Struga, këtë vit ka filluar procedurë divorci.
Viktima më së shpeshti është grua, por shqetësuese është se ka viktima edhe të mitur. Rasti i fundit është i një nëne e cila ka rrahur djalin e saj 8 vjeçar sepse ai nuk donte të lypte, ndërsa asaj do ti hiqet e drejta prindërore.
“Policët e kanë ndaluar nënën e pandërgjegjshme dhe në bashkëpunim me Qendrën për çështje sociale fëmija është transferuar në Shtëpinë e Nënës në Shkup për kujdes të mëtutjeshëm. Ndaj nënës është ngritur akuza përkatëse”, u shpreh zëdhënësi i SPB Ohër, Stefan Dimovski.
Sociologët thonë se gratë vuajnë dhe vazhdojnë të jetojnë me dhunuesin, nuk kërkojnë mbrojtje. Deri më tani asnjë viktimë nga Struga nuk është vendosur në strehimoren rajonale në Ohër.
“Nga puna dhe njohuritë tona për personat që kanë marrëdhënie martesore, partnere dhe familjare me elementë dhune, thonë se kjo kategori e njerëzve në Strugë dhe Vevçan nuk vendosin aq lehtë të paraqiten në Qendrën tonë”, theksoi drejtori i qendrës për çështje sociale në Strugë, Mevmed Halili.
Në rajonin e Strugës me mbi gjashtëdhjetë mijë banorë, në vitin 2020 ka pasur vetëm 8 raportime për dhunë në familje.
ILMIJE ZHAKU
