Botë

Kufiri me Poloninë, Gjermania shton forcat e sigurisë

25.10.2021 11:32

Gjermania ka shtuar sigurinë në kufirin me Poloninë në përpjekje për të trajtuar një fluks të migrantëve nga Bjellorusia....

Gjermania ka shtuar sigurinë në kufirin me Poloninë në përpjekje për të trajtuar një fluks të migrantëve nga Bjellorusia.
 
Autoritetet njoftuan për vendosjen e qindra policëve shtesë në kufi, derisa një zyrtar qeveritar tha se Berlini është i gatshëm të rrisë edhe më shumë kontrollet kufitare .Krizën me migrantë është duke e provokuar udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka.
 
Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve anëtare e kanë akuzuar atë se ka orkestruar krizën me migrant për t’ju hakmarrë Brukselit për shkak të sanksioneve të vendosura. Sanksionet kanë pasuar goditjen e dhunshme të protestuesve në Bjellorusi të cilët kundërshtojnë zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat Lukashenka thotë se i ka fituar, mirëpo opozita në këtë vend, si dhe vendet perëndimore nuk e njohin rezultatin.
 
Autoritetet gjermane vlerësojnë se përmes Polonisë dhe Bjellorusisë kanë hyrë rreth 5.000 migrantë të paligjshëm në tre muajt e fundit. Shumica e migrantëve pa dokumente janë nga Iraku, Siria, Jemeni dhe Irani. Polonia ka propozuar ndërtimin e një muri prej 410 milionë dollarësh në kufirin e saj me Bjellorusinë për të ndalur hyrjen e migrantëve. Gjermania tash për tash nuk ka plane për mbylljen e kufirit me Poloninë.