Raporti i KE-së: RTVM ka buxhetin më të ulët në 10 vitet e fundit

25.10.2021 15:31

SHGM shpalos përmbajtjen për lirinë e mediave....

SHGM shpalos përmbajtjen për lirinë e mediave në raportin e fundit të KE-së. Në të potencohet se  reformat e premtuara në RTVM  dhe në Agjencinë për Media mbetën të paplotësuara.

RTVM  përballet me buxhet të zvogëluar  dhe këshilli programor ka mandate të skaduar, e njëjta edhe në  Agjencinë për Media.

Raporti potencon se pavarësia financiare si dhe sistemi i meritave për përzgjedhjen e menaxhmentit,  janë dy parakushtet bazë për pavarësinë e Servisit Publik. Raporti thotë se autoritetet, duhet të rrisin përpjekjet për të reformuar RTVM -në , duke siguruar pavarësinë dhe qëndrueshmërinë financiare të saj.

Buxheti i RTVM -së është 13.1 milionë euro, e ky buxhet, siç theksohet në Raport dhe është më i ulti në dhjetë vitet e fundit.

Transmetuesi publik  ka miratuar një strategji zhvillimore  5 vjeçare, por reforma  po pengohet nga vonesat në emërimin e anëtarëve të  Këshillit Programor.

Njëjtë edhe në  Këshillin e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-Vizuale. Kuvendi nuk ka filluar procedurën për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, edhe pse në dy raste ka pasur thirrje për kandidatë të interesuar.

Raporti i KE-së: Janë shtuar sulmet ndaj gazetarëve në RMV

Kërcënimet dhe dhuna ndaj gazetarëve janë shtuar. Në këtë pjesë është e nevojshme të zbatohet zero  tolerance ndaj kërcënimeve dhe  akteve të dhunës ndaj gazetarëve gjatë ushtrimin e profesionit të tyre dhe të sigurohet që autorët të vihen para drejtësisë.

Në vitin 2020, në MPB janë regjistruar 10 raste të kanosjes së gazetarëve, ndërsa SHGM ka regjistruar 2 sulme fizike dhe 12 forma të ndryshme të kërcënimeve verbale me jetë dhe kanosje të tjera.

Në fillim të vitit 2021 është regjistruar edhe një sulm fizik dhe një kërcënim me vdekje. Rekomandohet që agjencitë e zbatimit të ligjit dhe Zyra e Prokurorit Publik të monitorojnë incidentet me gazetarët, por nevojitet një koordinim më i mirë ndërmjet institucioneve të ndryshme për të vepruar më shpejt ndaj shkeljeve të raportuara dhe për të parandaluar mosndëshkimin e autorëve.

Konteksti i përgjithshëm mbetet i favorshëm për lirinë e medias dhe lejon raportimin kritik të mediave pavarësisht nga gjetjet serioze që janë pjesë e këtij raporti.

Në pjesën e rekomandimeve, theksohet se vitin e ardhshëm, vendi duhet të rishikojë kuadrin ligjor në fushën e medias në përputhje me ligjin e BE-së dhe standardet europiane. (Fitim Kryeziu, TVM2)