Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, VMRO–DPMNE kërkon mbështetje për rrethin e dytë
26.10.2021 13:59
Kandidati për kryetar komune të Kërçovës nga radhët e VMRO – DPMNE–së, Aleksandar Jovanovski....

Kandidati për kryetar komune të Kërçovës nga radhët e VMRO – DPMNE–së, Aleksandar Jovanovski, në prag të rrethit të dytë zgjedhor kërkoi mbështetjen masive të kërçovarëve përfshi edhe diasporën, pa dallim përkatësie etnike, fetare apo partiake. Jovanovski tha se ai është opsioni i duhur për Kërçovën pasi do të mbrojë interesat e të gjithë kërçovarëve. Ai tha se kandidon me projekte reale dhe të realizueshme, sikurse janë projektet infrastrukturore, ruajtjen e ambientit dhe ndryshimin e imazhit të qytetit. S’do anashkaloj hapjen e vendeve të reja të punës, pengimin e shpërnguljes së të rinjve si dhe formimin e një fondi të posaçëm për fëmijët me nevoja të posaçme.
“Në programin tim ka projekte reale dhe menjëherë të realizueshme siç janë ndërrimi i gypave të ujësjellësit, ndërtim i rrjetit të kanalizimit në të gjitha vendbanimet ku mungon rrjeti, zhvendosjen e deponive të egra të cilat po na prishin jetën, ndryshim dhe renovim të fasadave dh kulmet e ndërtesave të vjetra.”,- tha kandidati për kryetar të Kërçovës - VMRO – DPMNE, Aleksandar Jovanovski.
Ndërkohë kryetari i VMRO–DPMNE –së, Hristijan Mickovski, akuzoi pushtetin se për shkak të frikës nga humbja, po bën fushatë të ashpër kundër VMRO–DPMNE–së që të njollos partinë e tyre. Sipas Mickovskit pushteti po tensionon marrëdhëniet ndëretnike në mbrojtje të krimit. Ai u zotua se bashkë me kryetarët e komunave do të angazhohet për projekte zhvillimore jo vetëm të Kërçovës por të të gjitha komunave që do të kryesohen nga kandidatët e VMRO–DPMNE-së.
“Ne nuk kemi kurrfarë frustracioni ndaj askujt, kemi vetëm qëllim të qartë drejt atyre të cilët gjatë 52 muajve të kaluar grabitën popullin e Maqedonisë, e shitën, e nënçmuan dhe të gjithë neve na sollën një turp të madh. Po, ata do të japin llogari, unë ju premtoj.”,- u shpreh kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickovski.
Kandidati për Manastirin, Toni Konjanovski, u shpreh se angazhimi i tij në krye të qytetit do të ketë ngritjen e statusit social të bashkëqytetarëve të tij për një jetë më cilësore. Ai numëroi punësimet dhe përkujdesin më të madh të shtresave të rrezikuara dhe me nevoja të posaçme.
“Garantojmë formimin e qendrës për punë me fëmijët me pengesa, garantojmë formimin e qendrës së krizës për fëmijë dhe gra viktima të dhunës familjare dhe vendosjen e telefonit SOS për viktimat e dhunës. Manastiri ka nevojë për programin: asistentë për jetë të pavarur, ndihmë për të gjithë ata që kanë nevojë.”,- theksoi kandidati për kryetar në Manastir - VMRO – DPMNE, Toni Konjanovski.
Kandidati për kryetar në qytetin e Gjevgjelisë, Andon Saramandov, ka falënderuar qytetarët që kanë votuar atë në rrethin e parë, duke ftuar edhe të tjetër të cilët s’kanë votuar, më 31 tetor të dalin dhe mbështesin ndryshimet që do ti sjell ai. Paralajmëron zhvillim lokal dhe rajonal ekonomik, avancimin e bashkëpunimit të ndërmarrjeve, do të kërkojë zgjidhje afatgjate të deponisë së qytetit si dhe shumë projekte të tjera për një jetë më cilësore të banorëve të Gjevgjelisë.
MERAL ISMAILI
