Rritja e çmimit të energjisë, zyrtarët evropianë në kërkim të zgjidhjes
Rritja e çmimeve të energjisë po kthehet në problem.....

Rritja e çmimeve të energjisë po kthehet në problem për qytetarët e shumë vendeve të BE-së. Komisioni Europian paraqiti para disa ditësh një paketë instrumentesh që mund të vihen në përdorim për t’u përballur me rritjen e çmimeve, si për shembull uljen e tatimeve apo subvencionime për sipërmarrjet e vogla.
Por Franca, Spanja dhe Greqia duan që të merren masa më të thella në nivel europian, që të shmangen në të ardhmen çmimet e larta.
Për shembull reformimi i tregut të shumicës për tregjet e energjisë duke mundësuar blerjen e përbashkët të gazit dhe magazinimin e tij. Por Gjermania dhe tetë vende të tjera u shprehën kundër reformave në tregjet e energjisë.
Në një dokument të përbashkët me Austrinë dhe Holandën thuhet, se nuk mund të mbështesin masa, që janë në kontradiktë me tregjet e brendshme të gazit dhe energjisë elektrike, si për shembull një reformë të shpejtë të tregut të shumicës për energjinë.
Polonia dhe Hungaria nga ana e tyre bëjnë përgjegjëse masat e paketës së klimës të BE si tregtinë me emetimet e dioksidit të karbonit për këtë rritje të ndjeshme çmimesh.
Në sistemin e emetimeve të BE, ofruesit e energjisë duhet të paguajnë për emetimin e gazrave serë, CO2.
Disa vende, mes tyre Gjermania theksojnë, se masat e mbrojtjes së klimës janë zgjidhja për çmimet e larta të energjisë dhe jo origjina e problemit. Pozicionet e vendeve të BE në lidhje me çmimet e larta të energjisë janë kaq larg njëri-tjetrit, edhe sepse jo të gjithë janë të prekur njësoj nga rritja e çmimeve.
Me këtë çështje po merren ministrat e Energjisë së BE në takimin e tyre në Luksemburg, megjithëse nuk pritet ndonjë ujdi. Me gjasë marrëveshja pritet në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Rritjen globale të çmimit të energjisë ka prekur edhe vendet ballkanike.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se kjo ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të produkteve bazë, prandaj ka paralajmëruar ndihmë për qytetarët.
