Maqedoni

Zgjedhjet lokale, rivotim në dy vendvotime

26.10.2021 15:58

Të dielën, përderisa në 44 komuna do të ketë raund të dytë për zgjedhjet lokale...

Të dielën, përderisa në 44 komuna do të ketë raund të dytë për zgjedhjet lokale, në dy vendvotime do të përsëritet votimi i raundit të parë. Rivotim do të ketë në vendvotimin - në 0543 në Dibër për kryetar komune dhe në vendvotimin 2957/1 në Shuto Orizarë për anëtarë të këshillit komunal. Kështu ka vendosur Gjykata Administrative e cila ka anuluar këto vendvotime pas ankesave që kanë parashtruar koalicioni Aleanca e Shqiptarëve dhe Alternativa dhe Lëvizja "Të vendosur për Maqedoninë" e udhëhequr nga PLD–RDM. Në KSHZ njëzëri u miratua vendimi gjyqësor për të ri-përsëritur votimin në këto vendvotime.
 
“Përsëritet votimi i raundit të parë të zgjedhjeve lokale në vendvotimin – 0543 Komuna Dibër për zgjedhje të kryetarit të komunës dhe lista të kandidatëve për këshilltarë komunal e anuluar me vendim të gjykatës administrative. Votimi përsëritet edhe në vendvotimin 2957/1 në komunën Shuto Orizares për listat për kandidatë të këshillit komunal të komunës së Shuto Orizares, dhe për këshillin e qytetit të Shkupit e anuluar me vendimin e gjykatës administrative.”,- tha Aleksandar Dashtevski nga KShZ.
 
Në Dibër përballen Hekuran Duka nga BDI, Bekim Pocesta nga Ash/Aa dhe Petrit Klenja nga PDSH. Pocesta ka fituar 3998 vota, Duka 3713, ndërsa Klenja 37 vota. Në vendvotimin 0543 në Dibër për të votuar në Listën zgjedhore janë regjistruar 777 qytetarë me të drejtë vote. Në vendvotimin 2957/1 në Shuto Orizarë të dielën do të rizgjidhen anëtarë të këshillit, ndërsa paralelisht do të votohen edhe për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar komune. Në këtë qendër votimi janë 655 votues. Përsëritja e votimit mund të ndikoj në përcaktimin e rezultateve finale thonë nga KSHZ. Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, i cili do të mbahet të dielën, më 31 tetor do të votohet në gjithsej 44 komuna, ndërsa në Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë do të këtë sërish votime për shkak se në zgjedhjet e 17 tetorit në zgjedhje nuk kanë dalur një e treta e votuesve të regjistruar për të arritur pragu ligjor.
 
ZEKIRJA MEXHITI