Botë

Pakistani dhe Kina bëjnë thirrje për ndihma në Afganistan

26.10.2021 20:18

Udhëheqësit e Pakistanit dhe Kinës i bënë apel të përbashkët komunitetit ndërkombëtar...

Udhëheqësit e Pakistanit dhe Kinës i bënë apel të përbashkët komunitetit ndërkombëtar, për ndihmë urgjente humanitare dhe ekonomike në Afganistan.
 
Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, diskutuan për situatën në Afganistan gjatë një bisede telefonike.
 
Në deklaratën e lëshuar më pas, ata thanë se njerëzit atje kanë nevojë për ndihmë ndërkombëtare, që “do t’iu lehtësonte vuajtjet” dhe “do të parandalonte jostabilitetin”.
 
Qeveritë perëndimore kanë ndërprerë fondet e ndihmave për Afganistanin, prejse talibanët kanë marrë pushtetin në muajin gusht.
 
Aktualisht, sundimtarët talibanë nuk kanë qasje në rezervat prej 9 miliardë dollarësh të Bankës Qendrore afgane - shumica e të cilave mbahen në SHBA.
 
Një ditë më herët, Kombet e Bashkuara paralajmëruan se miliona afganë do të përballen me uri gjatë këtij dimri, nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme për t’i ndihmuar ata.
 
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së tha se rreth 22.8 milionë aganë përballen me pasiguri ushqimore.
 
Shifra nënkupton më shumë se gjysmën e popullsisë afgane./evropaelire