Zgjedhjet lokale 2021, Istrefi akuza për keqpërdorim buxheti në Strugë
Kandidati i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.....

Kandidati i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për komunën e Strugës, Idri Istrefi, ka akuzuar kundër-kandidatin e tij për keqpërdorim fondesh nga buxheti i komunës.
Sipas tij, kreu aktual i komunës dhe kundërkandidat i tij, Ramiz Merko, së bashku me bashkëpunëtorin etij Armend Kadriu, përfitojnë miliona euro nga buxheti i qytetarëve të Strugës nëpërmjet një koncesioni të dyshimtë dhe plot shkelje ligjore me kompaninë “Siti Lajt” të angazhuar për ndriçim publik.
Miliona nga Komuna e Strugës që i jepen kësaj kompanie shkojnë direkt në xhep të Ramiz Merkos dhe Armend Kadriut dhe këtë e dëshmojnë dhjetëra transaksione bankare të cilat Istrefi tha se i kanë siguruar dhe ia kanë dorzuar prokurorisë dhe policisë financiare.
“Miliona euro janë paguar në xhirollogarinë private të Armend Kadriut dhe familjarëve të tij dhe në xhirollogarinë e universitetit privat të Ramiz Merkos. Këto transaksione dëshmojnë më së miri lidhjen e klanit Merko-Kadriu me kompaninë “Siti-Lajt”, dhe me vjedhjen që po na bëhet përditë. Për të gjitha këto transaksione janë të njoftuara edhe prokuroria publike dhe policia financiare.”,- theksoi kandidati i ASh-AAA për Strugën, Idri Istrefi.
Istrefi tha se pret që institucionet kompetente të kryejnë punën e tyre teksa paralajmëroi revizion në administrimit lokal nëse fiton besimin e qytetarëve. (Naim Ramadani, TVM2)
