Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, BDI kërkon votë nga të gjithë në Tetovë
27.10.2021 17:14
Kandidatja e BDI-së për kryetare në komunën e Tetovës, Teuta Arifi, premton ta kthejë Tetovën në qytet europian...

Kandidatja e BDI-së për kryetare në komunën e Tetovës, Teuta Arifi, premton ta kthejë Tetovën në qytet europian, me standard të lartë jetese, që nënkupton jo vetëm standarde infrastrukturore por edhe standarde të larta për një shoqëri moderne e të hapur, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, bashkëjetesë mes të gjithë etnive.
Arifi tha se punon që Tetova të jetë një qytet modern europian me cilësinë më të lartë jete për të gjithë qytetarët e saj. Plani për 4 vitet e ardhshme, ka projekte reale e të arritshme, të cilat do ta bëjnë Tetovën një komunë të denjë për të jetuar, me zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e trafikut, me një politikë tolerance zero ndaj mbeturinave, qenve endacakë dhe kazinove.
Në 4 vitet e ardhshme, Tetova do jetë një komunë e gjelbërt dhe evropiane, tha Arifi duke kërkuar mbështetje nga të gjithë. kërkoi nga mbështetësit e të gjitha partive politike, që të votojnë në mënyrë të qartë për Një Tetovë të bashkuar, ku çdo komunitet trajtohet dhe respektohet njësoj.
“Kundërkandidati ynë ka thënë qartë se nuk i do votat e të gjithë qytetarëve dhe të gjitha etnive, unë them qartë se jam kryetare e të gjithë qytetarëve pa përjashtim e kërkoj përkahjen e të gjithëve. Kërkoj nga të gjitha komunitetet mbështetjen tyre për të forcuar akoma më shumë vlerat e shoqërisë multietnike e kërkoj nga të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh partinë që kanë përkrahur në raundin e parë, të votojnë atë që është më e mi për të gjithë qytetarët dhe fëmijët tanë.”,- tha kandidatja për kryetare të komunës së Tetovës - BDI, Teuta Arifi.
Arifi tha se këtë të diel është në pyetje Tetova europiane. Vetëm vota e bashkuar e të gjithëve, mund të sigurojë një Tetovë me standard e vlera të tilla. Vetëm vota juaj mund të sigurojë të drejtat e të gjithëve në një shoqëri të hapur, ku të gjithë respektohen në mënyrë të barabartë, tha Arifi.
SANIJE DURAKU
