Ekonomi
Paralajmërimi për rritje të pagës, Bislimi: Ka arsye sociale, por jo ekonomike
28.10.2021 15:00
Paralajmërimet për korrigjim të pagës minimale nga 15 mijë në 18 mijë denarë kanë arsye sociale...

Paralajmërimet për korrigjim të pagës minimale nga 15 mijë në 18 mijë denarë kanë arsye sociale, por jo edhe arsye ekonomike, vlerëson profesori universitar, Sami Bislimi. Sipas tij, në kohën kur kemi rritje të kostos së jetesës, kjo do të sjell pasoja tjera në rritjen e çmimeve në treg.
“Aspekti ekonomik apo logjika ekonomike nuk pranon vendime të tilla. Në kushte kur ekonomia ballafaqohet me një rritje të çmimeve, tendencë e cila rrënon edhe ashtu nivelin e ulët të ekonomisë së vendit, kjo do të ndikon negativisht në rritjen e kostos së prodhimit.”,- deklaroi profesori universitar, Sami Bislimi.
Koston më të lartë të një rritje të tillë do ta paguan sektori privat, thekson Bislimi. Sipas tij, sektori privat për momentin po ballafaqohet me rritje të çmimit të lëndës së parë dhe importeve, andaj rritja e pagës minimale automatikisht do të rriste çmimin e produktit.
“Sektori privat ballafaqohet me problemin e mbijetesës. Sektori privat ballafaqohet me problemin e inflacionit, apo rritjes së çmimeve të importeve të repromaterialeve apo rritjes së çmimit të energjisë.”,- u shpreh profesori universitar, Sami Bislimi.
Nga ekzekutivi para disa ditësh paralajmëruan se nga 1 janari rroga minimale do të rritet në 18 mijë denarë me ç’ka do të rritet standardi jetësor.
ERSAN PAJAZITI
