Maqedoni

Covid-19, ndërroi jetë një vajzë 17 vjeçare.

28.10.2021 15:44

Ndërron jetë nga Covid-19 një vajze 17 vjeçare nga fshati Sopotinicë, Demir Hisar...

Vajza ka pasur sëmundje kronike, diabet të tipit 1 dhe e njëjta nuk ka qenë e vaksinuar. Pacientja është shtruar për trajtim në spitalin e Manastirit më 18 tetor ndërkaq më 19 tetor është transferuar në Klinikën Infektive ne Shkup në gjendje të rëndë shëndetësore.  
 
“Pacientja është trajtuar në mënyrë multidisiplinare për shkak të komplikimeve të zhvilluara. Gjatë ditës së djeshme, parametrat vitale të pacientes janë përkeqësuar ndjeshëm, gjë që ka sjellë edhe insuficiencë kardiake. Pavarësisht të gjitha masave të marra diagnostike, terapeutike dhe reanimative, pacienti ka ndërruar jetë sot në orët e para të mëngjesit.”,- thonë mes tjerash nga Ministria e Shëndetësisë.
 
35% e popullsisë janë plotësisht të vaksinuar
 
Ndërkohë vazhdon vaksinimi i popullsisë në vend. Ministria e shëndetësisë njofton se gjatë ditës së djeshme janë aplikuar gjithsej 5.532 doza të vaksinës, prej të cilave 666 janë aplikuar si dozë e parë,1.050 qytetarë janë rivaksinuar dhe 3.816 kanë pranuar dozën e tret.
 
Gjithsej deri tani janë vaksinuar 803 408 qytetarë, janë rivaksinuar 773 537 dhe dozën e tretë e kanë marrë 24 021 qytetarë. 54% e qytetarëve mbi 40 vjeç janë vaksinuar dhe 33% e popullsisë së moshës 18 deri në 39 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.
 
57% e popullsisë së rritur kanë pranuar vetëm njërën dozë, me dy doza janë vaksinuar 46% e qytetarëve mbi 18 vjeç. Sipas numrit të vaksinave të aplikuara, 38% e të gjithë popullsisë është e vaksinuar me njërën dozë dhe 35% e popullsisë në vend ka marrë dy doza vaksine.
 
FLUTURA LATIFI