Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2021, VMRO–DPMNE në Zletovë promovon projektet

28.10.2021 16:30

Projekte infrastrukturore, mbulimin e tregut të Zletovës, rikonstruim të rrugës kryesore “Maqedonia”...

Projekte infrastrukturore, mbulimin e tregut të Zletovës, rikonstruim të rrugës kryesore “Maqedonia”, rikonstruim të fushës së sportit dhe rregullimin e shtratit të lumit Zletovë, ishin këto disa nga projektet që prezantoi para banorëve të Zletovës në komunën e Probishtipit, kandidati për kryetar nga radhët e VMRO–DPMNE–së, Marjan Milenkovski. Ai tha se ndryshimet s’do të ndodhin vetëm në Zletovë, por shumë projekte do të ketë në çdo vendbanim të Probishtipit. Do të ketë ujësjellës të ri për banorët e fshatit Rudarë, fushë sporti në Ratavicë, rrugë të reja në fshatin Dobrevë, tha Milenkovski, i cili premtoi përmbushjen e kërkesës së banorëve, subvencionimin e transportit publik nga Zletova deri në Probishtip në katër vitet e ardhshme. Duke kërkuar mbështetjen e bashkëvendësve të tij, Milenkovski tha se gjitha vendimet për një jetë më cilësore do ti merr në bashkëpunim me qytetarët e komunës.  Synim i tij është edhe pengimi i migrimit të të rinjve.
 
“Të gjithëve na mundon e njëjta dhimbje, të gjithë kemi një të afërm I cili ka ikur jashtë kufijve në kërkim të një jete më të mirë dhe duhet të ndërmarrim diçka që të ndalim shpërnguljet. Andaj do të mundësojmë ndërtimin e një lagje të re, për shumë mundësi pikërisht për të rinjtë. Komuna do të jetë këtu për ata kur do të duan të nisin një biznes të ri. Do të luftojmë për vende të reja pune dhe paga më të larta. Duhet, pasi që s’kemi më kohë për të humbur.”,- tha kandidati për kryetar të Probishtipit - VMRO – DPMNE, Marjan Milenkovski.
 
Kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickovski, tha se me premtime reale po garojnë në këtë fushatë, për dallim nga oponentët e tyre politik, të cilët japin premtime joreale dhe shërbehen me shantazhe. Kjo sipas Mickovskit, ndodh pasi që pushteti është në panik nga humbja, duke vënë në rrezik edhe marrëdhëniet ndëretnike për të shkaktuar konflikt. Kryetari i VMRO–DPMNE–së Mickovski tha se do të punojnë për një jetë më cilësore për të gjitha etnitë në vend. Vullneti i qytetarëve u pa në rrethin e parë, ndërkaq në të dytin kjo edhe do të vërtetohet, porositi Mickovski nga Zletova.
 
“Armiku më i madh i raporteve ndëretnike në Maqedoni është pikërisht Zoran Zaev dhe partneri i tij, Bashkimi Demokratik për Integrim, pasi që vetëm kështu të nderuar miq, në formën më të lehtë po e mbrojnë krimin të cilin bashkë po e bëjnë, bashkë po vjedhin nga tenderë, përderisa para kamerave aktrojnë të brengosur për një demokraci multietnike. Puna është se edhe shqiptarët, njëjtë sikur maqedonasit jetojnë në kushte të vështira, dhe të gjithë së bashku po braktisin Maqedoninë.”,- u shpreh kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickovski.
 
Probishtipi do të jetë pjesë e ndryshimeve të cilat po vijnë. 31 tetori është dita kur vota e qytetarit do të jetë më e fuqishmja, ishte porosia e tubimit në Zletovë të koalicionit “Ripërtëritje për Maqedoninë”.
 
MERAL ISMAILI