Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, Istrefi: Presim përkrahje të madhe nga VMRO-DPMNE
28.10.2021 16:58
Në vazhdën e aktiviteteve zgjedhore kandidati i Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për komunën e Strugës, Idri Istrefi...

Në vazhdën e aktiviteteve zgjedhore kandidati i Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për komunën e Strugës, Idri Istrefi, së bashku me liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski, kanë realizuar takime me qytetarët e Strugës, prej ku kërkuan mbështetjen e tyre për në rrethin e dytë zgjedhorë. Istrefi tha se në rrethin e dytë zgjedhorë pret një përkrahje të madhe nga partneri i tyre VMRO-DPMNE, dhe votuesit e kësaj partie.
Veç VMRO-DPMNE-së Istrefi, tha se pret mbështetjen edhe të gjitha forcave të tjera politike që janë të organizuar dhe veprojnë në Komunën e Strugës si dhe nga të gjithë qytetarët. Ai banorëve të Strugës u premtoi se nëse fiton besimin e tyre do të jetë kryetar i komunës për të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike apo fetare.
“Koalicioni me VMRO-DPMNE-në së bashku me qytetarët dhe gjithë të tjerët ka për qëllim për ta larguar pushtetin lokal të kriminalizuar të kundërkandidatit dhe bashkëpunëtorëve të tij”, tha kandidati i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për komunën e Strugës, Idri Istrefi.
“Ne presim një përkrahje të madhe nga partneri jonë VMRO-DPMNE mirëpo këtë kohë ky koalicion duhet të jetë edhe më i zgjeruar unë pres mbështetje edhe nga të gjitha partitë tjera këtu që veprojnë në Strugë dhe nga gjithë qytetarët që s’kanë parti politike sepse ne kemi një koalicion të madh për Strugën i cili koalicion do të ketë një fitore të madhe më 31 tetor që ta rrëzojë këtë regjim të Merkos dhe partnerit të tij.”,- tha kandidati i ASH-AAA për Strugën, Idri Istrefi.
Duke ftuar banorët e Strugës të mbështesin programin e tij Idri Istrefi nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa tha se më 31 tetor pret fitoren e madhe. Në komunën e Strugës në rrethin e dytë zgjedhorë do të përballen kandidati i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Idri Istrefi, dhe kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ramiz Merko.
NAIM RAMADANI
